Anëtari i Komisionit të Përzgjedhjes së Kandidaturëve për deputet në Partinë Demokratike, Besnik Mustafaj foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur më shumë te Këshilli Politik dhe detyra e re që i është besuar nga kryedemokrati, Lulzim Basha.
Për detyrën e tij të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në listat e Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj u shpreh se: “Do të jetë një detyrë shumë me përgjegjësi. E kam pranuar me shumë ndershmëri, se nuk ka konflikt interesi. E vlerësoj si fillimi i një tradite, prandaj e quaj të rëndësishme të fillojë mirë. Do bëhet sipas modelit britanik. Lehtësim nga ana jonë është kuadri, që është formuluar qartë nga mbështetësit e kësaj skeme, pra konservatorët britanikë. Kam pas një bisedë me Bashën, ku i kam thënë se nëse shkoj aty, dua të jem përgjegjës për zgjedhjet e mia, pra nuk pranoj ndërhyrje nga lidershipi. Nëse nuk do të funksionojë kështu, unë do të japë dorëheqjen. Unë nuk jam një njeri që bëhem alibi ndaj dikujt tjetër. Unë nuk do të vërtetoj nëse kandidatët kanë pas lidhje me krimin, etj, pasi këto i përkasin Prokurorisë. Por unë do t’i japë shumë rëndësi standardeve të individit. Kjo do të jetë edhe pjesë e subjektivitetit tim, por unë aty do të jem për të zbatuar frymën”.
Sa i takon Këshillit Politik, Mustafaj tha se nuk mund të bëhen ndryshime kushtetuese para zgjedhjeve, pasi një gjë e tillë rrezikon seriozisht klimën e bisedimeve mes palëve, ndërsa shtoi se opozita e bashkuar pret që të ketë një qëndrim zyrtar nga të gjithë ndërkombëtarët.
“Kthimi te Këshilli Politik i opozitës së bashkuar ishte i panevojshëm. Jemi para zgjedhjeve dhe nuk mund të bëhen ndryshime, aq më tepër në kushte pandemie. Deri tani kemi parë kërkesat e përsëritura të ambsadores amerikane për marrëveshjen e 5 qershorit. Sa i përket listave të hapura, unë jam shprehur pro, por mazhoranca nuk po i shpjegon. Besoj se do të ketë rezistencë brenda PD, brenda lidershipit të PD dhe bazës së kësaj partie, që prej 7 vitesh lufton për të mbajtur gjallë frymën e të djathtës të krijuar që më 1990. Heqja e listave më vete të partive të koalicionit pakëson në mënyrë të dukshme fushatën, pjesëmarrja në votime do të ulet ndjeshëm dhe unë këtë e quaj shumë të rëndë. Le të marrim PR, që në listë më vete ka sjellë 50 mijë vota në rangë vendi. Apo Dash Shehi që ka sjellë shumë më pak. Por, janë ca thërrime, që të bashkuara krijojnë shumicën”, tha Mustafaj.
Si iu duk situata në Kosovë?
Problematikat që ka, duken. Bisedimet që pati Basha me lidershipin e Kosovës ishin shumë të sinqerta, të hapura. Pata mundësi të dëgjoj presidentin Thaci, në cfarë i tha Bashës, Albin Kurtin, kryeministrin Hoti, Vjosa Osmanin, si dhe Haradinajn, Fatmir Limajn, etj. Ishte shumë i rëndësishëm sinqeriteti, qarja e hallit pa vajtim.
A keni një perceptim për masat e marra këtu për pandeminë dhe ajo cfarë patë në Kosovë?
Atje janë shumë më të rrepta. Në pedonalen e Prishtinës nuk shihje asnjë njeri pa maskë, sic ndodh në rrugët e Tiranës. Policia ishte shumë e rreptë, kur shihte dikë që e kishte të varur në gushë maskën, e detyronte ta vinte. Kishte një sjellje më serioze.
Në mbledhjen e Këshillit Politik edhe përfaqësuesi amerikan, cfarë sinjali është ky?
Ata janë raportuesit më të saktë, më të vëmendshëm që ekzistojnë në planet. Ata nuk mund të lënë pa raportuar se cfarë do të ndodhë.
Mendoni se opozita duhet të kthehet tani në Këshillin Politik?
Ne nuk kemi ende një qëndrim të qartë nga BE, Gjermania, nëse e pranojnë apo jo tejkalimin e marrëveshjes së 5 qershorit. Grupi I CDU ka thënë se nuk e pranon këtë tejkalim. Ne do të presim prononcime të tilla, nuk e dimë cfarë do të ndodhë. Diplomati amerikan që ka shkuar në mbledhje, do të thotë se do të informojë ambasadoren dhe do të ketë qëndrime. Ndryshimet kushtetuese do ta rrezikojnë seriozisht klimën, në të cilën po zhvillohen bisedimet.