Kryesimi i radhës i Këshillit të Bashkimit Europian nga Gjermania nuk mund të merret e mirëqenë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.
Ish-deputeti i LSI, Vangjel Tavo, e vlerëson tejet pozitiv këtë fakt, por thekson se vendi ynë do të duhet të përmbushë një më një të 15 kushtet, në të kundërt do të mbetet pas dyerve të BE.
Vangjel Tavo: Nuk mund të merret e mirëqënë, duhet të jemi shumë të përgjegjshëm si politike shqiptare, të plotësojmë kushte që ka bënë BE. Janë 15 kushte. Akoma jemi në proces prove, nuk është realizuar asgjë prej tyre. Teorikisht duket sikur po bëhet përpjekje, u nis me reformën zgjedhore që sipas kushteve duhet të jetë patjetër një reformë konsensuale mazhorancë-opozitë. Është çuar në parlament. Nga ana tjetër shikojmë që edhe këtë përpjekje kryeministri i vendit përpiqet ta sabotojë duke nxitur deputetë të opozitës parlamentare, veç opozitë nuk është kjo.
Në këto 15 kushte, 9 janë kushte të Bundestagut gjerman. Bundestagu është shumë strikt, do të jemi të detyruar ti plotësojmë një nga një këto kushte që të marrim votën e Bundestagut gjerman. Nuk mund ta miratojë Bundestagu pa u plotësuar kushtet e vëna prej tij. Nëse do të jemi të përgjegjshëm dhe do ta marrim seriozisht shumë shpejt Shqipëria mund të plotësojë kushtet, i kemi mundësitë. Nuk mund të hapen negociatat sot kur renditemi si vendi i parë më i korruptuar i kontinentit, vendi i katërt apo i pestë në botë për kultivimin e kanabisit, vendi i parë për emigrimin e paligjshëm, largimin e shqiptarëve.Nuk duhet të mendojmë që ngaqë Gjermania ka marrë kryesimin e radhës të BE mund të hapen negociatat, duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë.
Tavo thotë se realizimi i detyra të shtëpisë kërkon vullnet politik nga të dyja palët por mazhoranca sipas tij ka treguar se nuk ka vullnet për integrimin.
Vangjel Tavo: Kushtet nuk mund ti plotësojë vetëm mazhoranca apo opozita. Kushtet patjetër duhet ti plotësojnë të gjitha forcat politike mazhorancë dhe opozitë, por përgjegjësia kryesore është e mazhorancës. Mazhoranca ka treguar se nuk ka vullnet për integrimin e Shqipërisë në BE se po të kishte vullnet nuk do të vepronte ashtu si ka vepruar qoftë me opozitën, qoftë me shqiptarë. Kjo mazhorancë e sotme që e quan veten Rilindje, që nuk është më forcë politike, nuk është më Partia Socialiste se socialist jam unë, kjo është kthyer në një sekt që dita-ditës po i varfëron dhe mjeron shqiptarët.
Duke folur në emisionin “Ditë e Re” në Rtv Ora për menaxhimin e pandemisë së Covid-19 nga qeveria, Tavo thotë se fluksi i lartë me të cilin po përballim tani tregon një menaxhim skandaloz.
Ndërsa si mjek ai apelon qytetarët për kujdes të shtuar dhe zbatim të rregullave të sigurisë shëndetësore.
Vangjel Tavo: Kishim një kurbë që askush nuk mund ta kuptojë. Fakti që është menaxhuar jo keq por në mënyrën më skandaloze pandemia tregojnë shifrat e sotme dhe situata ku jemi sot. Duhet të jemi të kujdesshëm. Si mjek, shfrytëzoj rastin tu drejtohem shqiptarëve për tu thënë që është një moment shumë kritik dhe duhet mbajtur distanca sociale dhe të përdoret maska.