Intervista/ Lulzim Veliu: Vuçiç i dëshpëruar për Samitin në Tiranë, por BE nuk dha shumë. Kriza Kosovë-Serbi, asnjë zgjidhje nuk do të ketë pa dakordësinë e SHBA

0
Gjigandi

Kryeqyteti shiptar, Tirana u kthye të martën e 6 Dhjetorit në kryeqëndrën e liderve të BE që shijuan jo vetëm diellin dhe gatimet e asaj dite por edhe vallet me motive krejt shqiptare. Por përtej kësaj, Samiti duket se nuk solli hapa konkretë në integrimin e vendeve që presin prej vitesh në radhë në paradhomat e BE-së, për t´u bërë pjesë e bllokut europian. Shumë ose asgjë nuk morri as Kosova që prej vitesh „ushqehet“ me lugën bosh e nuk merr liberalizimin e vizave edhe pse thuhet në çdo raport se ka përmbushur kushtet. Përveç „lojës“ vij-nuk vij-vij që Vuçiç bëri dhe që mesaduket nuk finksionoi pritej që Beogradi zyrtar të merrte një „shuplakë“ nga BE për faktin se Beogradi zyrtar ende nuk ka ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë. Mediat serbe nxituan të shtonin atë ditë faktin që Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk do e firmoste një deklaratë të tillë, por që një deklaratë e tillë nuk u pa dhe as u bë publike në përfundim të Samitit. Zërat thonë se Vuçiç u josh për të ardhur në Tiranë duke i premtuar atij se nuk do vendosej para këtij fakti që duhet të finalizohej me firmosje.

Abc24.al ka biseduar me analistin Lulzim Veliu në lidhje me këtë Samit dhe zhvillimet e fundit në krizën e përhershme Kosovë-Serbi.

 

  1. U konsiderua nga të gjithë si një Samit i një rëndësie të veçantë ai i kësaj  të marte të liderve të BE me Ballkanin Perëndimor në Tiranë. Dhe në fakt ishte i tillë. Si e vlerësoni këtë Samit?

Për një kohë të gjatë u duk se BE nuk ishtë e interesuar për zgjerim e aq më pak me Ballkanin Perëndimor duke zvarritur të gjitha proceset që duheshin të  zhvilloheshin për tu ofruar vendet e BP në BE. Është kohë e gjatë që Serbia dhe Mali i zi janë kandidat ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pa asnjë arsye u vonuan në hapjen e negociatave kurse Kosova vazhdon të presë për liberalizimin e vizave. Mirëpo si duket agresioni rus mbi Ukrainën e bëri që BE të ndryshoj qasje ndaj BP nga frika për eskalim të situatës dhe influencës Ruse në Ballkan. Vendimi për mbajtjen e samitit të BE për BP në Tiranë është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet e BP e posaçërisht për Shqipërinë pasi që edhe një herë dëshmon se Shqipëria është vend i sigurt dhe faktor stabiliteti në Ballkan me fjalë të tjera Shqipëria është lokomotiva e integrimit të BP në BE.  Rëndësia e këtij takimi u pa në frymën pozitive të të gjithë pjesmarrësve si dhe pasqyrimi në të gjitha mediat kryesore botërore.

  1. Po mesazhet që ky samit dha a ishin të një rëndësie kaq të madhe? Duket sikur u përsërit e njëjta formulë :“Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE“.

Me e rëndësishmja e këtij samiti ishte se u zhvillua për herë të parë jashtë vendeve të BE dhe u zgjodh Tirana si nikoqir ndërsa sa i përket pjesës tjetër mendoj sa ka pasur mundësi të bëhet me shumë, është fakt se u ripërsërit thënia se vendet e BP e kanë vendin në BE por në këtë rast BE është dashur ta dëshmoj këtë p.sh me liberalizimin e vizave per Kosovën nga pranvera e vitit të ardhshëm, me dhënien e statusit kandidat për Bosnjen apo edhe ndihma me konkrete për energji ose edhe heqjen komplet të romingut për vendet e BP. Megjithatë kjo është e mjaftueshme kur shohim se të gjithë udhëheqësit e BE përfshirë Scholz e Macron u ekzaltuan nga organizimi e pritja në Tiranë.

RonaTyra
  1. Ndërkohë Plani fracezo-gjerman për Serbi-Kosovë e ndryshon paksa situatën? Pra mund të kemi një joshje të Serbisë për afrim me BE më shpejt sesa me Shqipërinë në këmbim të njohjes?

Po sikur të ishte ashtu ne do ndahemi të gjithë të kënaqur se në këtë mënyrë hapen prespektivat integruese edhe për Kosovën ndërsa sa i përket Shqipërisë është në fazën e bisedimeve për plotësimin e kapitullit të fundit dakordimin e ligjeve me ato të BE, e të cilat nuk janë të lehta për tu plotësuar, për ndryshe Serbia shumë vite më parë ka hapur negociatat me BE. Unë mendoj se zgjedhja më e mirë do të ishte pranimi në bllok i të gjitha vendeve të BP në BE.

  1. Nga ana tjetër shohim që përpjekjet e SHBA si një plalë tjetër ndërmjetëse në proces vijon. Escobar do të jetë të hënën në Prishtinë. Ishtë SHBA që e afroi Kurtin drejt një pranimi të shtyrjes së afatit për targat pastaj për shtyrjen e gjobave. E shihni që SHBA është më konstruktive në këtë qasje për dialog?

 Që nga fillimi i bisedimeve në vitin 2011 SHBA kanë qënë më konstruktive dhe të drejtpqrdrejta në procesin e dialogut këtë e them për shumë arsye e më e rëndësishmja është se ata vazhdimisht kanë kërkuar marrëveshjen përfundimtare për të vazhduar pastaj me ato marrëveshjet e vogla e teknike kjo pra e bënë ndryshimin me politikat europiane për dialogun. Ndërsa në fazën e fundit ata kanë emëruar Eskobarin si përfaqësues të SHBA për Europën edhe BP dhe janë në mbështëtje të plotë të BE për dialogun pasi të gjithë e shohim se pa ndërhyrjen e SHBA procesi i dialogut nuk shkon para. Pra askush tjetër nuk do të arrinte t‘ia mbush mendjen kryeministrit të Kosovës për shtyrjen e afatit për targat. Me fjalë të tjera BE si ndërmjetësues në bisedime kurrë nuk do arrijë marrëveshje pa mbështetjen e SHBA.

  1. Çfarë solli ky samit për Shqipërinë përveç faktit që liderët shijuan kohën e bukur me diell në Tiranë dhe jam e sigurt që kanë shijuar edhe gatimet në drekën e tyre?

Përveç  përfitimeve materiale që u premtuan për të gjitha vendet e BP, Tirana për 24 orë ishte kryeqëndra politike europiane një imazh i paparë dhe i padëgjuar ndonjëherë për Shqipërinë.

  1. Mediat e huaja nxituan të shkruanin atë ditë vonë që një vend kaotik , me korrupsion dhe krim të lartë si Shqipëria nxiton të hyjë në BE. A e dinë liderët e BE atë që mediat dinë? Dhe pse nuk thuhet kaq „shqip“ kjo gjë prej tyre?

Liderve të BE nuk mund t‘ju ikë asgjë paditur e në shumë raste i dinë edhe më mirë se ne që jetojmë në Shqipëri. Korrupsion ka edhe në mesin e vendeve të BE mirëpo ata vlerësojnë shumë punën që është bërë e po bëhet çdo ditë me reformat e reja sidomos në sistemin e drejtësisë por vlerësohet se ka progres dhe duhet mbështetur.

  1. Ndërkohë në të njëjtën kohë me Samitin ndodhi edhe një incident i paprecedent në historinë e politikës shqiptare, goditja e presidentit të parë post komunist Sali Berishës? Kë dëmtoi ky incident pavarësisht aspektit human se më tej zoti Berisha u shfaq i mavijosur në fytyrë?

Incidenti ishte i keq e shumë i gërditshëm. U qëllua një grusht mbi atë që duhet të ishte pranë nipërve e mbesave të tij e jo në ballë të protestës në një ditë feste për të gjithë Shqiptarët. Incidente të tilla ndodhin gjithandej botës dhe dëmton atë që e shkaktoi.

  1. Regime të forta edhe nga faktori ndërkombëtar për këtë. Por më e rëndë do jetë nëse vërtetohet pretendimi i vetë zotit Berisha se personi që e goditi ka qënë pjesë e policisë gjë që u paralajmërua edhe nga grupi hakerues iranian.

Është normale se kishtë reagime ishte diçka e shëmtuar që nuk e dëshiron askush. Mirëpo këtu kemi disa parakushte që dërgojnë te idea e vetë-inskenimit. Protesta u paralajmërua shumë herët me shpresën se dikush nga komuniteti ndërkombëtar do ti takojë e kërkojë që të mos protestojnë pastaj të dalin para mediave se ja opozita ka mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe një gjë e tillë nuk ndodhi, pastaj ishte numri shumë i vogël i qytetarëve në protestë as edhe 1% e qytetarëve të Tiranës dhe si rrjedhojë është dashur të inskenohet diçka për të qënë në qëndër të vëmendjes por mesa duket ky inskenim tejkaloi edhe skenarin. Edhe në qoftë se sulmuesi një njeri me probleme mendore ka qënë pjesë e struktrave të sigurimit me herët nuk është që e bënë me pak të dhimbëshme.

  1. Por ndërkohë në Samit nuk u fol fare për nismën „Open Balkan“. Është ky një tregues se vetë BE nuk e ka konsideruar këtë dhe se vijon ta kanalizojë dialogun dhe bashkëpunimin vetëm të Procesi i Berlinit?

Ishtë samiti i BE për BP dhe nuk kishtë pse të flitej për „Open Balkan“ pasi që nuk është nisëm kundër procesit të Berlinit përkundrazi Ballkani i hapur do të ndikojë në përshpejtimin e procesit të integrimit pasi që vendet e Ballkanit kanë kryer detyrat e shtëpisë.

  1. Madje thuhet se Liderët e BE e dinë se „Open Balkan“ rrezikon të shndërrohet në një mekanizëm që fuqizon ekonomikisht Serbinë dhe mund ta shfrytëzojë për kërcënim të stabilitetit në rajon. E shihni ju këtë si një rrezik?

Në asnjë mënyrë. BE e ka mbështetur Ballkanin e hapur ka mbështetjen edhe të SHBA dhe si iniciativë është bazuar në katër parimet e lëvizjes se lirë njësoj si BE, në qoftë se mendohet në fuqizimin ekonomik të Serbisë e njëjta do të ndodhë edhe atëherë kur vendet e BP do të anëtarësohen në BE.

  1. Si e patë reagimin e presidentit serb? Në fillm tha nuk vij në Samit pastaj e anulloi dhe erdhi në Tiranë. Por ndërkohë u fol që do kishte një deklaratë për sanksione ndaj Rusisë dhe nuk u pa një e tillë?

 Unë mendoj se Vuçiqi ishtë njeriu më i pakënaqur me samitin që u mbajt në Tiranë. Ai me shumë dëshirë do ta priste në Beograd, kështu që shfrytëzoi rastin për ta shprehur dëshpërimin e tij me pretekst pse kryeministri i Kosovës emëroi Nenad Rashiqin ministër, një serb lojal që njeh realitetin në Kosovë, ndërsa në anën tjetër nuk mund të pranojë që në Ballkan primatin ta këtë Shqipëria mirëpo ai ndryshoi mendim në momentin që u pa se mospjesmarrja është kundër interesit të Serbisë, ndërsa sa i përket një deklarate kundër Rusisë nga Vuçiqi mund të ndodhë cdo kund tjetër por asnjëherë në Tiranë.

  1. Ndërkohë duket se do ketë një shtyrje të zgjedhjeve në Veri të kosovës të paktën SHBA dhe BE kanë deklaruar se nuk ka kushte për të mbajtur zgjedhje atje. Refuzimi ose pranimi i kësja çfarë pasojash ose çfarë pozitiviteti i sjell Kosovës?

Sa i përket zgjedhjeve në veriun e Kosovës është mjaft e vështirë të mbahen nga presioni i bandave kriminale që urdhërohen e financohen nga Vuçiqi. Unë mendoj se zgjedhjet që ofrojnë zgjidhje nuk arrihen pa një marrëveshje politike.

  1. BE a po përpiqet të josh vendet e BP përmes fondeve në mënyrë që ato të mos joshen ekonomikisht nga Rusia dhe Kina?

Pozita gjeostrategjike e BP e bënë të dëshiruar nga të gjitha fuqitë e mëdha, Rusia e Kina mundohen të shtrijnë ndikimin e tyre mbi këto vende dhe është normale që BE duhet të bëjë gjithcka që është e mundur per të ndaluar influencën e tyre mbi Ballkanin. Është fat i mire që të gjitha këto vende perjashto Serbinë janë properëndimore.

  1. Si e shihni prespektivën e Ballkanit Perëndimor në BE?

 Për vendet e BP prespektivë tjetër nuk ka, vetëm integrimi në BE. Problemi i vetëm është Serbia e cila mundohet të udhëheqë politikë të dyfishtë në mes BE dhe Rusisë por ka ardhur momenti kur ajo duhet të ndaj mendjen, ndërsa vendet e tjera e presin me padurim integrimin në BE.

  1. Ka pasur këtë javë arrestime për një tentativë grushti shteti në Gjermani. Si e shihni tentativën nga e djathta ekstreme?

 Këtu kemi të bëjmë me një organizatë që nihet me emrin „Deutsche reich“ apo Perandoria Gjermane, flitet se kjo organizatë vepron që nga vitet e 80´ dhe ka diku 15000 anëtarë, dhe nga koha e pandemisë ka njohur rritje në anëtarësi pra ka ndikuar kriza ekonomike por me sa duket edhe ndihma nga Rusia. Pjesë e këtij aksioni aventuresk kanë qënë vetëm një pjesë e vogël apo pjesa më ekstreme e tyre e ndër ta edhe bashkëjetuesja e princit me prejardhje nga rusia, e cila dyshohet se ka lidhje edhe me Putinin. Duke pasur të gjitha këto për bazë ky aksion i tyre nuk ka rrezikuar në asnjë moment rendin kushtetues të Gjermanisë por u pa fuqia dhe reaksioni në mbrojtje të rendit kushtetues, çka është një shembull i mirë se si veprohet në raste të tilla derisa tek ne dalin deputetët, ish ministra, ish kryeministër e ish president me megafon në sheshe e bulevarde bëjën  thirrje për luftë e kundertëvolucion e prokuroria hesht. Ku është policia Shqiptare? Ku është sigurimi shtëtëror? Ku është prokuroria? Ku është drejtësia e këtij vendi?

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu