Intervista /Fatos Rushiti: Vota në Itali një mësim për BE që prodhon kriza. Edi Rama sjelle prej banditi me Kosovën. Nëse BE do donte njohja e Kosovës nga Serbia do të ishte bërë realitet

0
Gjigandi

Fitorja e së djathtës ekstreme në Itali ka rizgjuar dyshime dhe pikëpyetje në Europë por edhe deri në SHBA se një nga vendet themluese të Bashkimit Europian mudn të devijoj orientimin e të mbështesë veprimet e Vladimir Putin. A është ky shqetësim i justifikuar edhe pse Georgia Meloni e ka thënë qartë edhe gjatë fushatës se vendi dhe qeveria që ajo do drejtonte nuk do ishte në krah të Rusisë? Por analistët mendojnë se vota e orientuar drejt një partie me prirje fashiste nuk tregon orientimin e një populli drejt kësaj, por faktin se bëhet fjalë për një konsumim të partive të tjera politike e për pasojë shoqërohet me rënien e besimit në popull. Krizat ekonomike si fillim për shkak të Covid e më pas për shkak të luftës e kanë orientuar votuesin gjithmonë djathtas. Gazetari.al ka biseduar këtë herë më analistin e çështjeve ndërkombëtare në Shkup Fatos Rushiti i cili bën një analizë të detajuar jo vetëm të situatës në Europë dhe frikës së vendeve të BE për votën e Italisë por edhe për situatën dhe ndikimin që Putin ka edhe në Ballkan.  Ai kritikon ashpër kryeministrin shqiptar Edi Rama që sipas tij ka një sjellje banditeske ndaj Kosovës. BE sipas Rushitit nëse do donte vërtet që Serbia ta njihte Kosovën do ta kishte arritur këtë qëllim.

-Fitorja e së djathtës ekstreme në Itali dhe një grua si Giorgia Meloni që pritet të jetë kryeministrja e parë grua në Itali. Por një frikë nga ana tjetër e vendeve të tjera të BE . Frikë ndoshta e justifikuar për shkak të afrimit të disa eksponentëve të Fratelli D´Italia me Rusinë. Sa legjitime është kjo frikë dhe sa rrezikon BE nga një ekstrem i djathtë në Itali?

 

Fitoren e së djathtës ekstreme në krye me një grua Giorgia Meloni e shoh më shumë si produkt i harxhimit politik apo dhe konfrontimit të partive tjera me bazë majtise dhe republikane,  dhe si derivat i një sistemi politik jo të qëndrueshëm sa i përket qeverisjes publike. Nuk mendoj se populli italian në thelb ka prirje fashiste për të votuar kaq hapur një parti të së djathtës esktreme. Por kur jemi tek frika, më duke se kemi të bëjmë me një fidbek të pritur politiko social mes vetë BE dhe partive me orientime djathtiste. Dhe, apriori dmth,  komuniteti i BE-së duket së nuk janë në unison me Politikat e BE-së, dhe herë pas here votojnë djathas. Kur fillon të zbehet motivi për demokraci, dhe kjo shoqërohet me kriza ekonomike dhe dilema të sigurisë rajonale, më se të pritshme janë evoluimet politike esktremisht djathtas.

 

RonaTyra

-Po pse i trembet BE një vendi si Italia , kur ka ende vende dhe lider brenda saj që e kanë shfaqur edhe e shfaqin hapur se kanë ende simpati për Putin dhe vijojnë të kenë marrëdhënie të ngushta? Psh Hungarezi Viktor Orban? A është kjo çështje peshe që ka secili nga vendet në BE apo çështje emergjence për një orientim drejt Putin?

Kontekstualisht dua të shtoj se BE duket që po perceptohet në thelbin e formimit të vetë si organizatë ekonomiko -financiare, pavarësisht efekteteve gjeostrategjike, them me arritje të prekshme pozitive. Njerëzit e rëndomtë nuk janë aq inaktiv, por shohin se tolerohen një Viktor Urban nga BE apo dhe të djathtët në Poloni.  Ndërkaq kur jemi tek raportet me Rusinë, elektorati italian, ndoshta është i uritur të ketë një Angela Merkel që dintë të menaxhojë krizat ekonomike dhe mbajti lider Gjermaninë brenda BE-së. Kujtojmë se Merkel në një farë forme kishte akces edhe në mos shpërthimin e Putinit drejt vendeve tjera. Me ikjen e Anglezëve Italia ka nevojë për më shumë protagonizëm brenda BE-së.

-Në fakt do ishte e tepërt ta thoshim kështu por duket sikur ka një ndikim të madh rus. Së pari me krizën politike në Britani që tani po kthehet edhe në një krizë ekonomike, pastaj me krizën politike në Itali që u pasua me fitoren e ekstremit të djathtë, por me një krizë ekonomike në BE, që shoqërohet me çmime të larta të karburanteve, gazit dhe energjisë elektrike e për pasojë të zinxhirit të ushqimeve. A po dëmtohet po kaq edhe vetë Rusia nga kjo luftë?

 Kriza energjetike dhe rrjedhimisht dhe kriza ekonomike ka efektin e vetë, sepse ishin të varur nga gazi rus. Në këtë kuptim po, por jo dhe aq siç trumbetohet nga investimi rus, pra mos e përjashtuar tërësisht. Vendet  e BE-së e kuptuan se gabuan në tolerimin e Rusisë ndaj shtrirjes hibride, pra kërcënimeve hibride, sdomos tek vendet e Ballkanit Perëndimor, po aq dhe gabuan në zgjatimin e varësisë ndaj gazit rus. Tani po shikohen dhe po punohet në alternativa të tjera të sigurimit të gazit, por tashmë jemi vonë.

-Por ndërkohë të lidhur ngushtë me Rusinë i vetmi vend në Ballkan, Serbia. Një Serbi që fiton teritor pavarësisht këtij afrimi, fiton teritor në tarifat doganore në Ballkan si pasojë e “Open Balkan” por ndërkohë duket si e privilegjuar edhe në BE ku nuk ka sanksione dhe ku ka ecur para në procedura edhe në procesin e integrimit. Pse BE nuk reagon edhe me Serbinë?

Serbia edhe në ish Jugosllavi ishte superiore pothuajse në të gjitha sferat shoqërore, ndërsa ka patur hov edhe me shërbimin inteligjent sepse ka pasur shtrirje edhe tek vendet e tjera edhe pas viteve 90-të, pra pas prishjes së Jugosllavisë. Po ashtu Serbia ka pasur lidhje të forta me Francën, Gjermaninë dhe me Britaninë e Madhe. Pra ende shikohet si element stabilizues edhe përkundër asaj që shkaktoi tre apo katër luftëra. Pozicioni i saj pro rus, tani duket që mund të minimizohet nëse vendet e BE-së dhe SHBA do të kenë sukses në Marrëveshjen me Kosovën dhe të përgatisin vendet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit të plotë edhe pse koha që po flitet 2030-ta ka në vete mosdurim dhe mërzi me gjasa për të pasur efekte kundër zgjerimit. Vetë gjetja e një modeli të ri bashkëpunimit si ajo e Grupimit Politik mes vendeve që nuk janë pjesë e BE-së nën menaxhimin e vendeve kryesore të BE-së flet për një lodhje të BE-së dhe hezitim të saj për t’u zgjeruar.

-Një kryeministër shqiptar që kritikohet nga mënyra se si ai e sheh marrëdhënien e tij me presidentitn Serb gjoja në emër të Open Balkan dhe se si pranon ta lërë jashtë një qasje pozitive Kosovën? Ka pasur akuza për Edi Ramën edhe nga presidentja e Kosovës këtë javë.  A është Edi Rama i prirur të jetë më afër Serbisë dhe pse nëse është kështu?

Shikoni, Edi Rama ka një qasje mjerisht banditeske ndaj Kosovës, një qasje tutori për një fëmijë të padëgjueshëm siç e sheh apo do ta shohë ai Kosovën. Ai bëhet banal kur në përkrahen e të preferuarve të vetë në Kosovë e jo dhe ndaj vetë struktarave qeverisëse legjitime. Presidentja Osmani, me gjasë e reflekton edhe atë që flitet prapa kulisave nga liderët e shteteve evropiane nëpër konferenca rajonale, se Edi Rama  droga dhe korrupssioni janë bërë njësh si eksportuesi i madh i drogës jo vetëm si mall por edhe si operativë dërgese. A nuk po dalin fotot e njerëzve të mafias nga zyra e tij. Dikush sheh nga lart dhe veneron dhe për këtë Presidentja Osmani duhet të ketë njohuri.  Pastaj loja e tij me Vuçiçin thjesht nuk përballohet nga Kosova sepse, siç e kam thënë më herët nga Tirana deri në Beograd ka mijëra plagë për t‘i shëruar.  Shqipëria pa dhënë një model me Kosovën  për bashkëpunim, në shumë fusha, nuk mund të jetë pjesë e një modeli me Serbinë, pa Kosovën. Thjesht nuk shkon kjo.

 -E kemi parë një Edi Rama jo shumë në krah të Kososvës edhe kur ka legjitimuar nëse themi kështu, refuzimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për të njohur Kosovën madje duke thënë se kjo do bëhet nga Serbia por këtë se bën dot Vuçiç.

Edi Rama është produkt i një garniturë të hershme politike me bazë enveristo-komuniste, e mbajtur nga  nëntoka e familjes më të madhe mafioze socialiste pa një kokë të indentifikuar, pas viteve të 90-ta e deri më sot, duke pasur në krah ish nipër dhe mbesa të njerëzve të bllokut, pra taktikishto-spontanisht pikëtakohet me Eksponentin e Millosheviqit. Kur thotë nuk do ta njoh Vuçiç Kosovën, ai e sheh veten si aktor rajonal dhe kinse me ndihmën e Perëndimit do ta bind Serbinë ta njoh Kosovën. Ai e sheh veten në pushtet si Erdogani, edhe dhjetë vite tjera. Prandja flet ashtu.

 -A ka në këtë mes edhe një lloj jo koherence edhe nga vetë BE ose një lloj dualizimi dhe gare se kush mund të ketë më shumë ndikim në Ballkan BE apo SHBA? Sepse ne e dimë që nëse këto dy vende do e donin një gjë të tillë ajo do të kishte ndodhur tashmë.

SHBA-të janë në cep të durimit, jo pse Biden është në pushtet dhe ka pasur një linjë pro Kosovës ndër vitesh, por pse BE nuk mundi të ketë sukses të shtyj përpara një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Por SHBA-të i kanë në qejf kompromiset që ndoshta neve nuk na kovenojnë. Ne kemi dhënë shumë territore, dhe kur jemi tek Kosova, serbët kanë kompetenca të posaçme të cilat edhe u formalizuan më shumë pas Marrëveshjeve të Brukselit të 2014-ës. BE për shembull po të donte vërtetë një zgjidhje do të shtynte 5 vendet e saj të njihnin Kosovën dhe kjo do të kishte efekt pozitiv për Kosovën dhe Serbia do të ulej në pozicione politike. Kjo nuk po ndodh dhe SHBA reagon se do vetë por edhe se do ti bëj karshillëk BE-së

 

-Zoti Rushiti. E shihni ju si të mundshme një njohje që Kosovës nga ana e Serbisë? Dhe a do jetë kjo e afërt nëse po?

Njohjen de jure nuk e shoh të mundshme, kjo pasi Serbia ndihet e fortë në Ballkan, nuk dha llogari ndaj masakrave në Bosnjë dhe Kosovë, nuk u ndëshkua nga vendet kryesore të BE-së. De fakto Serbia mund të pranojë njohjen e Kosovës kur tashmë veç më ka dhënë shenja me njohjen e dokumenteve personale.

 –Por ndërkohë që flasim nuk mund të themi se kemi një situatë të qetë në Veri ku tensioni ka gjithmonë justifikues dhe të viktimizuar sic janë serbët.

Se serbët përdoren nga Vuçiç dhe viktimizohen kjo dihet, dhe kryeminstri Kurti mirë bën se mban qëndrime përjashtues edaj Listës Serbe, pasi kjo dominon elektoratin serb. Veriu është thembra e Akilit për Kosovën, fatkeqësisht e vënë me dashje nga vendet kryesore të BE-s dhe SHBA-së.

 -Thuhet madje që ka një prani ushtarësh rus në veri. A është kjo një tregues që Putin e ka këtë “luks” të ketë ushtarë edhe në Serbi apo një plan destabilizimi edhe në Ballkan?

 Putin ka dhënë prova për destabilizim në Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe në Serbi, përmes spiunazhit. Por Putin nuk mundet aq lehtë të ketë shtrirje qoftë dhe në Veri të Kosovës, pa pasur pika të mbështetjes vendore, pika që nga  ekpsertë të caktuar edhe mund të shihen por jo edhe nga i tërë populli. Por tek ne intelektualizmi dhe masa kritike më shumë është e dirigjuar politikisht se sa autentike dhe e bazuar në prova shkencore.

 –NATO deklaron herë pas here se është gati të shtoj praninë e saj apo të ndërhyj ushtarakisht në rast të një konflikti. A është vërtet situata kaq kritike ?

Realisht situata është kritike, me një Serbi që bën manovra ushtarako poliore rreth kufirit me Kosovën. Duke qenë edhe njohës i çështjeve të sigurisë, nuk mendoj se duhet të përjashtohet një invadim ushtarak i Serbisë në Kosovë. Po supozojmë se do ta  këtë,  po tërheqja, pastaj do të bëhet pa kompromise. Them që jo. Shto këtu edhe atë se Serbia  në një farë forme ka përgatitur terren për të tentuar një autonomi serbe në Veri apo një asociacion të komunave serbe me kompetenca  ekzekutive. Shtrohet pyetja pse dhe nga kush u toleruan krijimi i komunave të reja etnikisht të pastra serbe, e pse nuk u bën dhe ato multietnike. Epo fatkeqësisht dikush nga Kosova punoi brenda në favor të Serbisë. Dikush mund të thotë se po, ndërkombëtarët kanë insistuar, dhe kjo nuk pin ujë, sepse ndërkombëtarët kur flasin për një Kosovë multietnike nuk kanë si të kundërshtojnë komuna multietnike. Për t’i kuptuar disa politikanë patriot të mëdhenj do kohë tek ne, sepse nuk kemi investuar shumë në arsim dhe në civilizim.

 -Kriza në Malin e Zi duket sikur nuk është  gjithashtu thjesht politike por edhe krizë për të dëmtuar shqiptarët apo për t´i larguar ata nga pozitat drejtuese. Apo ishte thjesht një gabim taktik i Dritan Abazoviç?

Dritan Abazoviq u përdor për t’i dhënë zgjidhje kishës serbe, pra thjeshtë atë është dashur ta bën një shqiptar, andaj u krijuan rrethanat politike, ku politikanët malazez  për të ruajtur veten para popullin malazez, gjetën një vegël Dritan Abazoviq.  Gjukanoviq atje dominon dhe dirigjon jetën politike, ai çdo kund ka pikat e tij dhe e përdor për të hapur apo për të mbyllyr çështje. Partitë pro serbe e dinë këtë por nga inati, nuk kanë zgjidhje tjera. Abazoviq me veprimin e fundit që doli kundër Gjukanoviqit, kërkon të hedhë pluhur mbi lidhjet e tij me Gjukanoviqin i cili pak kohë më parë e bëri kryeministër.

 

-Dhe së fundmi pak për skandalin e hakerimit në Shqipëri. Është edhe kjo një rastësi apo një përpjekje për shantazh e për cfarë duhet të  jemi të kujdesshëm?

Shqipëria politike doli aq hapur në mbrojtje të eksponentëve të opozitës iranianë. Dhe u gjet njeriu më specific për tu sulmuar, që siç dihet mbante raporte të forta me vendet e perëndimit Ish drejtori Gledis Nano. Kjo së fundmi e rëndon edhe më shumë shpalosjen e të dhënave personale  të shqiptarëve. Në një aspekt edhe gjithë kjo ndoshta në mënyrë të sofistikuar u bë për të dekonspiuar njerëzit e shtetit të lidhur me narko trafikantët.  Kështu është kur i pari i qeverisë ka humbur fijen, a është në Qeveri për të luftuar, nepotizmin, krimin dhe drogën, apo ka shokët brenda, në mos ai vetë që torelon apo merret me krimin. Po e jap një parashikim se për rastin e Sajmir Tahirit dhe kushërinjve të tij do të kemi filma hollivudian shumë shpejt. Rasti më unikal në Botë kur Ministri që duhet të luftojë krimin me me shumë gjasa ka bartur vetë drogën në Itali, pra ka bërë krimin.

 

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu