Përfaqësuesi i opozitës në konferencën për reformën zgjedhore të organizuar nga OSBE, Ivi Kaso, shprehu angazhimin e koalicionit opozitar për mbështetjen e realizimit të kësaj reforme.
Kjo është pika e parë e qendrimit të opozitës, që pobëhet i njohur nga sekretari demokrat për çështjet zgjedhore. Opozita konsideron se personat që janë subjekt i dosjes 339 dhe 184 janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me reformën e vërtetë zgjedhore që ka nevojë vendi.
“Për këtë arsye-thuhet në qendrimin e opozitës së bashkuar,- reforma e vërtetë zgjedhore mund dhe duhet të realizohet e zbatohet vetëm nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Në qendrimin e saj zyrtar, opozita nuk e njeh legjitimitetin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Duke e cilësuar si një organ që nuk përfaqsëon vullnetin e qytetarëve, pasi ka dalë nga zgjedhjet e blera me krimin në 20017-ën, qendrimi i opozitës për mosnjohjen e këtij komisioni është i qartë: “Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare.”- thuhet në qendrimin zyrtar të opozitës për reformën zgjedhore.
Propozimi i opozitës për zgjidhjen e këtij problemi është ngritja e një grupi të posaçëm për reformën, që përfaqëson drejt elektoratin shqiptar, në përbërje të të cilit të ketë edhe përfaqssues të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë. “Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar.. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime.”- thuhet në qendrimin zyrtar të opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore. Ky qendrim ka në përbërje 5 çështje kryesore që opozita i shikon si një rrugë e mirë për të zgjidhur problemin e refomës zgjedhore, një nga kushtet kryesore për nisjen e negociatave.