Situata në Shqipëri nuk është aq e mirë për sa i përket shifrave në rritje të të infektuarve me koronavirus. Por pavarësisht kësaj shteti helen ka vendosur që të hapë kufijtë tokësor.
Një ditë më parë u mësua se nga e mërkura, 1 korrik, në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, sportelet do të fillojnë punën normalisht. Greqia ka vendosur që ti hapë kufijtë me vendin tonë, gjithmonë nën respektimin e protokollove të sigurisë por me sa duket dhe me disa kufizime për sa i përket lëvizjes së turistëve që shqiptarë.
Por si do të bëhet kalimi tashmë në pikat kufitare, cilat janë kategoritë që do të duhet të presin që të shkojnë në vendin fqinj, dhe çfarë protokollesh do të duhet të ndjekin kategoritë e tjera të udhëtarëve.
Gazetari i Top Channel, Artur Bibe tha sot për emisionin “Wake Up” se kufijtë nuk do të hapen për turistët shqiptarë, por ndërkohë janë hapur për kategoritë e tjera; ata që kanë leje qëndrimi apo që kanë kontrata si punonjës sezonale.
“Është një lajm i mirë, por ka diçka, pasi kufijtë do të hapen jo për turistët shqiptarë, deri tani ky është njoftimi. Por do të hapen për lëvizjen e kategorive që mund ë lëvizin këtu. Pra gjithë personat që kanë leje qëndrimi, ata që janë punonjës sezonalë mund të lëvizin edhe me mjetet e tyre. Nuk e sqaroi në fillim, po më vonë doli me një vendim tjetër”, tha ai.
Ndërkohë që kufijtë janë të hapur për turistët e vendeve të tjera, që janë në BE dhe që do të përdorin kufirin shqiptar për të hyrë në vendin fqinj. Bibe sqaroi edhe protokollet që do të ndiqen në pikat kufitare nga shteti fqinj Greqia.
“Në Kapshticë dhe Kakavijë do të vendosen aparatura që do të merren me dezinfektimin e personave që do të testohen. Do të ketë testime në bazë të kofiçentit të rriskut. Nga momenti që një person rezulton i prekur, ai do të karantinoret. Gjithashtu janë maskat, dezinfektimi dhe larja e duarve”, shtoi ai.