Goditet në Greqi një bandë shqiptarësh që vidhnin skafe. Operacioni i policisë greke u përqendrua në Patra, Agrinjo, Astako dhe Ksiromero Aitiloakarnania.
Mësohet se në pranga kanë rënë 8 shtetas shqiptarë, 4 meshkuj dhe 4 femra. Grupi kriminal dyshohet për 10 vjedhje dhe 2 tentativa vjedhje skafesh, 21 vjedhje motorra skafesh, 3 vjedhje magazinash, 2 vjedhje trailer transporti skafesh, 4 vjedhje nëpër automjete, 8 vjedhje kafshësh me në total 55 qengja.
Sendet e vjedhura grupi kriminal i transportonte drejt Shqipërisë duke i kaluar nga dogana me dokumente të falsifikuar. Veprimtarinë e tyre e pezulloi përkohësisht situata me COVID-19 pasi kreu i grupit nuk mundi të hynte për një periudhë nga Shqipëria në Greqi.
Gjatë kësaj periudhe një pjesë e grupit u mor me grabitje kafshësh ndërsa një pjesë tjetër shfrytëzonin për prostitucion një vajzë të mitur. Për këtë të fundit janë në kërkim edhe dy shtetas të tjerë.