Flet pronari i kontenerive ku u gjetën 137 kg kokainë: Zoti më ka shpëtuar – Lajmi i Fundit – Lajme

0
17

Katër ditë pas operacionit “Kuito”, ku u kapën 137 kg kokainë dhe u arrestuan dy persona, hetuesit kanë dyshime se operacioni mund të jetë dekonspiruar. Referuar kamerave të sigurisë të sekuestruara në Portin e Durrësit, ka rezultuar se në momentin e marrjes së pakove në kontejner nga Ardian Bega dhe Altin Myslihak, pako që ishin zëvendësuara me oriz, kamera kryesore e sigurisë me kënd 360 gradë dhe me rezolucion të larte, ka lëvizur fokusin nga kontejneri ku gjendej droga. Të vetmet që kanë regjistruar janë dy kamera fikse, që nuk kanë një panoramë të qartë.
Hetuesit dyshojnë se pritësit e drogës kanë pasur bashkëpunëtorë në administratën doganore. Por hetimet e deritanishme nuk kanë zbuluar ndonjë të dyshuar.

Pas marrjes së pakove nga kontejneri, policia nuk mundi të arrestojë një prej të dyshuarve kryesorë, Gentian Malindin. Ky i fundit është larguar me makinë së bashku me Begën dhe Mylsihakën. Malindi arriti t’i shpëtojë policisë, ndërsa Bega dhe Myslimhaka nuk u ndaluan atë natë, por një ditë më pas.
“Alba Exotic Group”, kompania që tentoi të transportonte 137 kilogramë kokaine kishte kryer plot 151 udhëtime me të njëjtin itinerar. Eduard Dauti, pronari i kësaj kompanie këtë të martë në emisionin Opinion ka folur mbi këtë ngjarje, në kontenierët e kompanisë së tij.
“Unë jam njoftuar fillimisht për herë të parë, nga portalet. Unë sjell banane javë për javë. Ato janë banane dhe unë bëj këtë punë prej 9 vitesh. Unë sjell banane dhe limona nga Amerika latine. Nuk kisha asnjë dijeni që brenda kësaj ngarkese kishte drogë. Ne e kemi mësuar të premte në darkë, unë sjell minimalisht 450 kontenierë në vit. Mesatarisht 1 kontenier në ditë”, deklaroi zoti Dauti.
Ai tha se si biznesmen në këtë fushë ka frikë, pasi mund të ndodh që si në këtë rast brenda kontenierëve me banane të fute dhe lëndë narkotike.
“Zoti më shpëtoftë, faleminderit DEA apo autoriteteve shqiptare kush i zuri, sepse unë do isha i arrestuar. Kontenierët do kishin kaluar në skaner dhe unë do isha arrestuar. Policia nuk më kanë marrë në fare në pyetje për ngjarjen”, theksoi më tej ai./ Opinion

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here