Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, i pyetur për mbylljen e një televizioni privat në kryeqytet, tha se puna që kryen, e ka bërë të bashkëjetojë edhe me “piranjat”.
Veliaj theksoi se nuk ka pasur të bëjë në jetën e tij asnjëherë me persona që kanë problem serioze me ligjin.
Sipas tij, ka pasur persona nga krimi i organizuar që kanë dashur të ifluencojnë në Bashki, por që nuk ia kanë dalë dot.
“Kjo punë më ka bërë që të bashkëjetoj me piranjat. Unë e njoh këtë ambjent toksik. Unë refuzoj që të mbështes një kulturë, që bazohet mbi fyerjen dhe degradimin personal. Unë i di këto gjëra, nuk jam naiv. Nuk kam asnjë problem me njerëz që ofrojnë optikë negative. Unë s’kam kontakte me njerëz nga bota e krimit. Kur zbuloj se dikush ka problem të rënda me ligjin, normalisht nuk kam lidhje me të.
Ka pasur persona të krimit të organizuar që kanë dashur të influencojnë në Bashki, por nuk ia kanë dalë dot. Ne si PS kemi një frymë pozitive. Sot ka bashkëpunim të madh mes qeverisë dhe bashkisë. Ndërsa, opozita nuk ka lidhje me realitetin shqiptar. Një PS e fortë është një Shqipëri e fortë”, tha Veliaj.