Shtimi i rasteve të vdekjeve si pasojë e COVID 19, të marrë në shërbimet spitalore ka detyruar specialistët e shëndetit publik ta konsiderojnë qendrën më të madhe si një vatër infeksioni.
Por jo vetëm kaq.
Për shumë prej drejtuesve të Institutit të Shëndetit Publik, shkaku i përhapjes në masë të virusit në shërbimet e tjera të QSUT, sic ishte shërbimi i sëmundjeve interne apo shërbimi i Pediatrisë, kanë pasur si burim mjekun, që në shkelje të rregullores duke qenë me covid 19 ka infektuar dhe pacientët.
Në disa prej tyre, nuk ka pasur simptoma të covid, në disa të tjerë shenjat klinike janë shfaqur vonë por ajo ca ëshhtë e rënndësishme, mjeku i ka shërbyer pacientit pa maskë e doreza.
Në një intervistë për gazetën “Shqip”, epidemiologu i ISHP, Dritan Ulqinaku thotë se ka bindje se mjekët neglizhuan zbatimin e protokollit të masave duke bërë që të ulet vigjilenca ndaj virusit.
Intervista
Në radhët e mjekëve, është shënuar viktima e parë nga covid 19. Si e gjykoni ju situatën e krijuar në qsut. A i respektojnë mjekët masat?
Situata që u krijua në QSUT meriton një hetim e analizë të detajuar të shkaqeve që sollën rritje të numrit të pacientëve të prekur me koronavirus.
Por mund të them se qëndron dyshimi se mjekët nuk kanë respektuar protokollet e vendosura për frenimin e përhapjes së covid, ndryshe nuk mund të shpjegohet infektimi i menjëhershëm i pacientëve. Gjithsesi duhet të dini se në qendrën spitalore funskonion njësia e kontrollit spitalor e cila duhet të ndjekë e monitorojë zbatimin e masave në pavione, a respektohet vendosja e maskës si nga mjekët dhe nga pacientët. A respektohen oraret e vizitave të të afërmeve, si menaxhohen konsultat etj,
Duhet thënë se situata e krijuar tregoi se kjo nuk funksionoi.
Por për këtë më mirë të shprehen personat përkatës.
Është rikthyer sërish në vëmendjen e opinionit përdorimi o maskës. A mendoni se rritja e shifrave të reja me covid lidhen me mosmbajtjen e saj?
Në gjykimin tim, rritja e numrit të rasteve të prekur me koronavirus ishte e pritshme pasi heqja e karantinës risolli rikthimin e normalitetit, takimeve dhe frekuentimeve të bareve e kafeneve. Vendosja e maskës nuk është shkaku kryesor por mungesa e respektimit të distancimit fizik, mendoj se ka sjellë dhe rritjen e shifrave të reja me koronavirus çdo ditë. Ajo cka duhet të theksojmë e të ndërgjegjësojmë qytetarët është të mos harrojmë se virusi nuk ka ikur ndaj s’duhet të harrojmë që të mbrojmë veten dhe të afërmit e më tej miqtë nga rreziku i infektimit.
Cfarë duhet të ndryshojë në protokollin e miratuar për parandalimin e përhapjes së covid? Ndoshta përdorimi i detyruar i maskës?
Protokolli i masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit ka nevojë të përmirësohet. Përdorimi i maskës me detyrim në ambiente të hapura nuk mendoj se duhet të jetë e detyrueshme. Unë theksoj apelin tim për qytetarët se ruajtja e distancës fizike është shumë herë më e nevojshme, kur dihet se jemi në sezonin turistik dhe grumbullimet mes miqsh janë ndër zakonet më të shpeshta të të rinjve, prej të cilëve duhet të mësohen të heqin dorë.
Sa i takon protokollit për ambientet spitalore, theksoj se për spitalet duhet të vendoset me detyrim përdorimi i maskës dhe në ambientet jashtë pavionit. Rreziku i infektimit qëndron dhe jashtë mureve të spitalit ndaj mjeku me qëllim që të ruajë veten e pacientin duhet të jetë shumë i kujdesshëm gjatë punës së tij.
Presim një izolim të dytë me situatën e krijuar? Do të ishte e nevojshme karantina?
Nuk mendoj se do të ishte e nevojshme karantina. Situata e krijuar ishte e pritshme, ajo që s’pritej ishte neglizhenca sidomos në radhët e mjekëve.
Cfarë presim në shtator? Cili është skenari i pritshëm?
Nuk besoj se do të kemi surpriza. Ky virus po na tregon cdo ditë e më shumë se është i qëndrueshëm, s’ka ulje e zbritje. Ai është në qarkullim dhe ne duhet të jemi shumë vigjilent duke respektuar masat dhe duke u përpjekur të kemi solidaritet mes nesh për ta luftuar atë.