Të vetëflijuara nënë e bijë brenda apartamentit dhe vajza tjetër e gjetur në gjendje të rëndë; kjo është historia që tejkaloi mbrëmjen e djeshme në Kombinat kufijtë e imagjinatës dhe sfidoi skenarët më të frikshëm horror.
Besimtare të sekti fetar “Dëshmitarët e Jehovait”, nëna Zhaneta Josifi dhe vajzat Anisa e Blerta besonin se vetëvrasja do të mund t’u sillte një jetë të dytë, më të mirë.
Vajza 30-vjeçare, Anisa u gjend gjysmë e dekompozuar dhe sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore dyshohet se trupi i saj mund të ketë qëndruar mbi 6 muaj i pajetë brenda në banesë.
Ndërkohë përsa i takon të ëmës, Zhanetës dyshohet se ajo ka ndërruar jetë 2-3 ditët e fundit, qe nga momenti që të afërmit e saj s’kanë pasur dot mundësi kontakti. Top Channel mëson se Zhaneta dhe Blerta e lyenin trupin e pajetë të Anisës me vaj dhe uthull, por edhe me solucione të tjera.
Mjekësia ligjore po ashtu ka dërguar për të bërë ekspertimin e lëndëve që janë përdorur në trupin e Anisës. Mbrëmjen e djeshme, në një komunikatë për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës tha se trupi i pajetë ka qenë i mbuluar me batanije dhe jorgan.