Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi nisën hetime që mund të çojnë në një proces për shkarkimin e mundshëm të presidentit, ndodhen para një dileme.
A duhet të vazhdojnë me disa akuza të fokusuara ngushtë, të ngjashme me akuzat që u ngritën në 1974 ndaj ish-Presidentit Richard Nixon dhe në 1998 ndaj ish-Presidentit Bill Clinton? Apo duhet të marrin si shembull një tjetër rast më të hershëm në histori, atë të shkarkimit të Presidentit Andrew Johnson në 1868?
Andrew Johnson, presidenti i 17-të i Shteteve të Bashkuara, u përball me 11 akuza për shkarkim të cilat u miratuan me votë të opozitës e cila ishte po aq e revoltuar nga politikat e tij, sa demokratët sot nga axhenda e Presidentit Trump.
Në rastin e zotit Trump, akuzat kryesore kanë të bëjnë me afro 400 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën që gjatë verës u shfrytëzuan si presion ndaj udhëheqjes së këtij vendi për të hetuar rivalët demokratë të zotit Trump, përfshirë ish-nënpresidentin Joe Biden. Megjithëse zoti Trump i hedh poshtë akuzat se këto ishin veprime të parregullta të shkëmbimit të favoreve, demokratët thonë se kjo skemë mund të përmbushë standardet për shkarkim nga posti.
Hetuesit ende po mbledhin dëshmi nga persona të rendësishëm në këtë proces, përfshirë Ambasadorin në detyrë në Ukrainë, William Taylor i cili dëshmoi të martën, prandaj kryetarët e komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve nuk kanë diskutuar ende publikisht se çfarë forme mund të marrin akuzat në fjalë.
Por prapa dyerve të mbyllura po diskutohen akuzat e mundshme, përfshirë akuzën për abuzim pushteti/autoriteti. Sipas kanalit NBC News, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka theksuar nevojën për të hartuar “akuza të fokusuara dhe të thjeshta” lidhur me skemën në marrëdhënie me Ukrainën.
Diskutimet lënë të kuptohet se demokratët brenda pak javësh kanë evoluar nga pikëpyetja nëse duhet të përpiqen të hapin proces për shkarkimin e mundshëm të presidentit, tek diskutimet se çfarë akuzash do të ngrihen.
Në një dokument që ofron një parathaënie të argumenteve që mund të ngrenë demokratët, zonja Pelosi nënvizoi të hënën “fushatën e presionit” për të cilën demokratët e akuzojnë Presidentin Trump në komunikimet me Ukrainën, duke i cilësuar disa herë veprimet e presidentit si abuzim autoriteti. Dokumenti prej katër faqesh me fakte ofron shembuj të shumtë nga teksti i bisedës së 25 korrikut mes presidentit dhe homologut ukrainas, si dhe shqetësimet e ngritura nga një informator i brendshëm, mesazhet e shkëmbyera mes diplomatësh dhe dëshmitë që dhanë zyrtarë të ndryshëm para komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve.
“Nga ky dokument unë arrij në konkluzionin se brenda demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve ka një grupim të konsiderueshëm që do të përqëndrohet në mënyrë të veçantë tek marrëdhëniet me Ukrainën, si një mundësi për të ngushtuar fokusin për ngritjen e akuzave dhe për ta mbajtur procesin hetimor të thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe në shumë aspekte të qartë,” thotë James Sample, profesor i së drejtës në Universitetin Hofstra në Nju Jork.
Në bazë të Kushtetutës Amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka autoritetin të ngrejë akuza për shkarkimin e mundshëm të presidentit dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë lidhur me “tradhti, rryshfete dhe krime e shkelje të tjera të rënda”. Fraza “krime dhe shkelje të rënda” megjithëse jo e përkufizuar qartë interpretohet si referencë ndaj akteve të rënda si abuzim pushteti e autoriteti për përfitime personale.
Ngritja e akuzave ndaj një presidenti kërkon që shumica në Dhomën e Përfaqësuesve të miratojë akuzat që do të çonin në hapjen e procesit për shkarkim të mundshëm. Në ngjashmëri me një proces penal, akuzat parashtrojnë faktet dhe argumentojnë përse është e justifikueshme hapja e procesit për shkarkim të mundshëm. Pas miratimit të akuzave, Senati hap një proces gjyqësor për të vendosur nëse presidenti është fajtor apo i pafajshëm që përfundon me vendimin nëse presidenti duhet shkarkuar apo jo.
Në një numër formash, ky proces ngjason me hetimet mbi Presidentin Johnson dhe përplasjet e tij me “republikanë radikalë” të cilët kontrollonin në atë kohë Kongresin pas Luftës Civile Amerikane, shpjegon profesori i së drejtës në Univerisetin e Mizurit, Frank Bowman i cili është autor i librit “Krime dhe Shkelje të Rënda: Historia e Procesit për Shkarkim nga Posti në Epokën e Trumpit”.
11 akuzat për shkarkim nga detyra lidheshin me vendimin e Presidentit Johnson për të shkarkuar sekretarin e tij të luftës në kundërshtim me vendimin e Kongresit që ia kishte bërë të qartë presidentit se nuk kishte të drejtë të shkarkonte zyrtarë federalë pa miratim nga Senati. Por kjo shkelje, thotë profesor Bowman, ishte në fakt “pretekst” i republikanëve për të larguar nga posti presidentin Johnson.
“Konflikti real ishte lidhur me pikëpamjet e papërputhshme mbi të ardhmen kushtetuese të vendit,” thotë zoti Bowman, “Një përplasje e ngjashme mund të thuhet se ekziston edhe sot, ku disa demokratë duan të gjejnë diçka ku ta kapin presidentin, si teknikë për ta ndëshkuar për të gjitha shkeljet që mendojnë se ka bërë”.
Për kritikët më të ashpër të presidentit, lista e shkeljeve që meritojnë shkarkim nga posti është shumë e gjatë dhe e larmishme, nga shkelje të Kushtetutës, në bazë të së cilës ndalohen “përfitimet personale” deri tek pengimi i drejtësisë në lidhje me ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, e tani tek abuzimi i autoritetit në komunikimet me Ukrainën. Një kritike e njohur e presidentit, Amy Goodman, prezantuese e emisionit “Demokraci, Tani” thotë se edhe politika e presidentit ndaj ndryshimeve klimatike është një shkelje që meriton shkarkim nga posti.
Megjithëse shumë kritikë të presidentit në të majtë të spektrit politik do të donin të shtoheshin akuza për përfitime financiare personale dhe shkelje të tjera, Profesor Sample thotë se kjo do ta bënte procesin më të komplikuar dhe do të sillte vonesa. Presidenti ndeshet me dy procese të tjera gjyqësore për marrje dhuratash nga qeveri të huaja në shkelje të rregullave kushtetuese që ua ndalojnë zyrtarëve amerikanë këto përfitime.
“Mendoj se demokratët ballafaqohen me një krizë kompleksiteti, pra nëse ndjekin të gjitha pistat e mundshme për të ngritur akuza për shkarkim të mundshëm ndaj Presidentit Trump, amerikanët, sidomos ndërsa afrojnë zgjedhjet, mund të ndjehen të konfuzuar,” tha zoti Sample.
Duket se udhëheqja e demokratëve po përpiqet ta shmangë këtë skenar. Ndërkohë që demokratë me peshë këmbëngulin se nuk i kanë eliminuar përfundimisht këto akuza për përfitime personale financiare, ata thonë se mbeten të përqëndruar tek Ukraina.
“Për momentin, vëmendja është tek Ukraina lidhur me komunikime që duket se përmbushin qartë përkufizimin për shkëmbim favoresh, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Steny Hoyer të martën. “Pjesa më e madhe e njerëzve e shohin këtë si shkëmbim favoresh. Nuk është marrë ende vendimi, kjo do të bëhet në nivel komisionesh”.
Pritet që si rezultat i këtyre shqetësimeve dokumenti i akuzave të jetë i fokusuar ngusht, i përqëndruar tek tre akuza, si ato që u miratuan në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin gjatë procesit kundër Presidentit Nixon në Skandalin Watergate, thotë zoti Bowman./VOA