Çmimet “BET” për afroamerikanët, Beyonce vlerësohet për humanizmin

0
Gjigandi

Në Amerikë janë mbajtur Çmimet BET për arritjet e talenteve afroamerikane, duke adresuar në veçanti sfidat me të cilat komuniteti përballet në këtë kohë pandemie koronavirusi por edhe racizmi që sipas tyre vazhdon prej 400 vitesh.

Vuajtjet, dallimet raciale dhe padrejtësitë ndaj afroamerikanëve dominuan festivalin e çmimeve “BET” që u mbajt të dielën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Spektakli i cili vlerëson talentet me ngjyrë në fushat e muzikës, filmit, sporteve dhe filantropisë u zhvillua teksa vendi prej një muaji po përjeton një valë protestash civile kundër racizmit dhe dhunës ndaj komunitetit afroamerikan, pas vrasjes nga policia të Xhorxh Floidit.

Shfaqja kishte në fokus këtë vit fjalime, këngë dhe imazhe të protestave të tashme e të kaluara, me emra të dhjetëra burrave e grave me ngjyrë të mbetura viktimë e dhunës policore.

Këngëtarja me famë botërore, Beyonce, u nderua me Çmimin Humanitar për nismat e shumta të bamirësisë.

RonaTyra

Çmimi iu dha nga ish-zonja e parë, Mishel Obama, ndërsa në mesazhin e saj, Beyonce bëri thirrje politike për unitet mes afroamerikanëve që padrejtësitë racore t’i zgjidhin duke marrë pjesë masivisht në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Ju inkurajoj që të veproni, të vazhdoni ta ndryshoni e çmontoni këtë sistem racist dhe të pabarabartë. Ta bëjmë së bashku, duke luftuar për dhe në mbështetje të njëri-tjetrit, për ata që kanë besim te ne por qëndrojnë në shtëpi gjatë zgjedhjeve lokale dhe paraprake në vend.Votimet sivjet duhet t’i shohim si çështje jete a vdekjeje, sepse ashtu janë.”

Spektakli i së dielës kremtoi arritjet e popullit afroamerikan dhe sfidat me të cilat ata përballen.

Performancat dhe fjalimet ishin të regjistruara më herët për shkak të rrethanave të epidemisë së koronavirusit, që detyroi ndaljen e shfaqjeve televizive në mesin e muajit mars.

Përveç Beyonce që u vlerësua për humanizmin, albumi muzikor i vitit shkoi për reperin dhe producentin Roddy Ricch; Megan Thee Stallion u shpall artistja më e mirë e rrymës “hip-hop”; Lizzo triumfoi në kategorinë “R&B/pop”; gjimnastja Simone Biles rrëmbeu çmimin e sportistes më të mirë; muzikanti nigerian, Burna Boy, u vlerësua për arritjet në skenën ndërkombëtare, ndërsa çmimi njeriu i vitit i shkoi yllit të basketbollit, LeBron James.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu