Chelsea i Frank Lampardit është një nga skuadrat që ka befasuar më shumë Europën këtë vit. Blutë e Londrës, në vitin e parë nën drejtimin e 42-vjeçarit, synojnë vendin e tretë në Premier League si dhe janë kualifikuar në finalen e FA Cup, ku do të përballen me Arsenalin e Mikel Artetas (edhe ai në sezonin e parë në krye të “topçinjve”).
Chelsea i ka lënë të gjithë me gojë hapur sa u përket ndërhyrjeve në merkato, duke njoftuar firmosjen me lojtarë të niveleve më të larta, siç është marokeni Hakim Ziyech dhe “ylli” gjerman i Leipzigut, Timo Werner, futbollistë që kërkoheshin nga klubet më me emër në Europë.
Frank Lampard ka projektuar një 11-tëshe të frikshme që do t’i jepte mundësinë për të synuar çdo trofe për sezonin e ri futbollistit, por drejtuesve londineze u duhet edhe një sforco e fundit për të plotësuar të gjitha kërkesat e anglezit.
Chelsea, për të arritur te të gjithë emrat që dëshiron, më parë duhet të largojë disa lojtarë, duke nisur nga Pedro (është i lirë dhe po negocion me Romën) dhe braziliani Willian (ka të ngjarë të largohet falas, pasi palët nuk ranë dakord për runovimin). Lampard është i gatshëm që dëgjojë ofertat për Emerson, Marcos Alonso, Kurt Zouma dhe Andreas Christensen. Ekzistojnë gjithashtu dyshime serioze në lidhje me vazhdimësinë e Ross Barkley-t dhe portierit Kepa Arrizabalaga. Së shpejti do të mësohet edhe e ardhmja e Michy Batshuayi e Jorginhos (i fundit kërkohet nga Sarri te Juventusi).
Me Ziyech dhe Werner tashmë të veshur me mgjyrën blu, Lampard dëshiron “yje” të tjerë në skuadër. Objektivi i radhës është talenti i Leverkusenit, Kai Havertz, që kërkohet edhe nga Real Madridi. Ai do të luante në mesfushë në skemën 4-3-3 së bashku me Kante dhe Mason Mount. Në sulm do të ishte “tredhëmbëshi” luksoz, Pulisiç-Werner-Ziyech.