Në një intervistë për Ora News, anëtari i kryesisë së PD-së, Aleksandër Biberaj tha se ka një interes për t’u bashkuar me PD-në dhe natyrisht ka shumë kandidatë potencialë që po propozohen.
Biberaj u shpreh se PD-së është e hapur për të gjithë, sidomos për ata që janë figura të reja.
Aleksandër Biberaj: Ka një interes për t’u bashkuar me PD-në dhe natyrisht ka shumë kandidatë potencialë që po propozohen. Anëtarësia ka të drejtën e propozimeve dhe ne si të deleguar nuk kemi të drejtë t’i refuzojmë, mjafton që të plotësojnë kriteret. Ka prurje të reja, edhe si moshë, po ashtu edhe nga shoqëria civile që nuk kanë qenë më parë në strukturat e PD-së.
PD mbetet e hapur për të gjithë, por duket pasur parasysh që një parti nuk vjen dot në pushtet vetëm me simpatizantë sepse numri i tyre është i kufizuar, kështu që ne po e zgjerojmë shumë bazën që të mundësojmë rrotacionin politik. Dua të them që ata që kanë qenë në PD nuk është se janë prurje të reja, ata kanë qenë në poste drejtuese. Hapja e PD-së ka të bëjmë me ardhjen e elementëve të rinj, që nuk janë provuar me PD-në.
Biberaj shtoi se nuk beson se në vitin 2021 PD do të ketë luksin për të pasur drejtues qarqesh me të cilët u humbën zgjedhjet në vitin 2013.
Aleksandër Biberaj: Ne nuk po tentojmë të afrojmë ish-ministra apo ish-deputetë të PD-së që kanë qenë në parti. Do të jetë anëtarësia me kryesinë që do të përcaktojë listën. Por nuk besoj se në vitin 2021 kemi luksin për të pasur drejtues qarqesh po ata me të cilët kemi humbur zgjedhjet në vitin 2013. Humbja ka ardhur edhe nga abuzimi me pushtetin nga figurat e PD-së.
Do të ketë një sërë kriteresh për kandidatët dhe kontributi i gjithsecilit është i vlerësueshëm, por mendoj se mbi të gjitha kemi nevojë për njerëz që mbledhin vota, që votohen. Mund të kemi njerëz që janë teknikë, por që nuk bëjnë një cunam votash.