Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Drynjaja ishte i ftuar ministri i Diasporës Pandeli Majko. Së fundmi, Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veselit, i është paraqitur një aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Speciale. Në lidhje me këto zhvillime Majko tha se shteti i Kosovës ndodhet në një moment të vështirë dhe prioriteti kryesor në këto momente duhet të jetë vetëm ajo.
“Janë goditur institucioni i presidentit të Kosovës është goditur një nga drejtuesit kryesor të partive politike dhe kjo nuk është një çështje që do të kalojë pa pasoja. Është herët të thuash dhe të diskutosh pasojat në planin afatmesëm apo afatgjatë, është thjesht një fillim, por Kosova është e para. Ajo që ne duhet të jemi më të kujdesshëm”, tha Majko.
Gjithashtu Majko tregoi situatën aktuale në Kosovë dhe vështirësitë që ajo ndodhet aktualisht, por edhe sfidat që e presin në të ardhmen.
“Për Kosovën po vijnë kohë të vështira, shumë të komplikuara që do të jenë rajonale, të një mënyre se si do të prodhojë politikë Prishtina zyrtare, që Prishtina zyrtare të mos kthehet në nënprodukt të askujt por të prodhojë cilësitë e veta. Dhe padiskutim të shkëputet nga frekuenca që e ardhmja e Kosovës lidhet vetëm me dialogun. Po të shkoje në Prishtinë para se të ndodhte kjo, të thoshin mirëmëngjes dhe fillonin flisnin për dialogun me Beogradin. Mendoj që kjo duhet të rishikojë disa momente të cilat do të jenë në vlerësimin e elitës politike dhe institucionale të Kosovës”, u shpreh ministri.
Sakaq, Majko theksoi se Britania dhe Amerika janë aleatët më të mëdhenj të Shqipërisë dhe Kosovës.
“As mos e vendosni në diskutim fare. Nëse mund të flasim kështu amerikanët dhe britanikët janë në krye të listës dhe më pas vijnë të tjerët”, tha Majko.