Ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, ka korrigjuar dëshminë e tij të mëparshme para hetuesve të Kongresit. Tani, ai e ka pranuar se kishte njohuri se administrata e presidentit Trump, pezulloi një ndihmë ushtarake për Ukrainën, derisa i bënte presion Kievit për të hetuar rivalët e presidentit amerikan, Donald Trump.
Deklaratat e bëra publike më 5 nëntor, ishin pjesë e transkripteve që u botuan këtë javë nga komitetet e udhëhequra nga Demokratët, të cilët udhëheqin hetimet në kuadër të procesit të nisur për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Pas dëshmisë së Sondland muajin e kaluar, avokatët e ambasadorit u dhanë hetuesve të Dhomës së Përfaqësuesve një deklaratë të re të betimit, në të cilën ai përditësoi deklaratatën e tij të mëparshme, të cilat ishin bërë nën betim.
Në deklaratë, Sondland pretendon se kujtesa e tij u rifreskua pasi ai lexoi deklaratat e dy dëshmitarëve të tjerë kryesorë që dëshmuan në hetim.
Sondland tha se ai tani ai e mban në mend një bisedë në Varshavë me një ndihmës të lartë të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy. Në këtë bisedë, Sondland, tha se ndihma ushtarake për Ukrainën, me gjasë nuk do të procedohej derisa Kijevi ta bënte të qartë se do të hetonte rivalin demokrat të Trump, Joe Biden dhe lidhjet e djalit të tij, Hunter Biden, me kompaninë Burisma të Ukrainës.
Sondland i tha zyrtarit ukrainas, Andriy Yermak, “se procedimi i ndihmës amerikane nuk do të ndodhë gjersa Ukraina të sigurojë deklaratën antikorrupsion, e cila po diskutohej për javë të tëra”.
Sondland tha se deklaratat ishin kulmi i presionit disa mujor, i vendosur mbi Kievin, kryesisht përmes avokatit personal të Trumpit, Rudy Giuliani, për të hapur hetime “anti-korrupsion” ndaj Joe dhe Hunter Biden, dhe në besimin e pabazuar të Trumpit se Ukraina ndihmoi demokratët në zgjedhjet e vitit 2016.
Sondland u tha hetuesve se ai e kuptoi që ky relacion ishte “i papërshtatshëm”.
I pyetur gjatë dëshmisë së tij nëse kjo marrëdhënie ishte e paligjshme, Sondland u përgjigj: “Unë nuk jam avokat, por kështu supozoj”.
Ambasadori fillimisht mohoi se kishte njohuri për çdo lidhje midis ndihmës ushtarake dhe kërkesës së Trumpit që Ukraina të hetojë Joe dhe Hunter Biden.
Demokratët kanë akuzuar Trumpin për abuzim me detyrën e tij, duke bërë presion ndaj një qeverie të huaj, për të hetuar një rival politik pwrmes kërcënimit se do të ndalojë ndihmën ushtarake e cila ishte e miratuar.
Trump ka mohuar se ai ka bërë ndonjë gjë të gabuar dhe e ka quajtur procesin e fajësimit “një turp”. Ndërkohë, hetuesit më 5 nëntor i kërkuan ushtruesit të detyrës së shefit të stafit të Trumpit që të paraqitej para hetuesve.
Expose: Trump në ujëra të trazuara
Disa zyrtarë të lartë të administratës deri më tani kanë refuzuar të dëshmojnë para hetuesve të Dhomës së Përfaqësuesve.
Dhoma, e udhëhequr aktualisht nga Demokratët, ka autoritetin e vetëm për të kryer procesin e shkarkimit të një presidenti të SHBA-së.
Çështja më pas kalon në Senat, i cili kontrollohet nga partia republikane e Trumpit, që do të thotë se shpallja fajtor dhe largimi nga detyra zor se mund të ndodhë.
Nëse Dhoma voton për fajësimin e presidentit, kjo do të ishte hera e tretë në historinë e SHBA-së që një president është përballur me një gjyq të tillë. Dy rastet e tjera përfunduan me shpalljen si të pafajshëm./REL