1.2 milionë njerëz mendohet se kanë dalë për të protestuar në rrugët e Santiagos, kryeqytetit të Kilit, kundër presidentit miliarder, Sebastian Pinjera, që drejton qeverinë e krahut të djathtë.
Ky është marshimi më i madh në Kili që nga koha e Pinoçetit. Me qindra mijëra dolën në rrugë edhe në qytete të tjera, duke paralizuar lëvizjet.
Protesta nisi me studentët, të cilët dolën në rrugë një javë më parë pasi u rrit papritur çmimi i transportit publik.
Qeveria u përgjigj shumë ashpër ndaj manifestimeve, gjë që rriti zemërimin e sindikatave, të cilët filluan grevat dhe lëvizjet shoqërore kundër qeverisë, kundër rritjes së kostos së jetesës, pabarazisë dhe korrupsionit.
Pinjera u përgjigj sërish me ashpërsi, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke vendosur shtetrrethime, si dhe duke shprehur në deklarata se vendi ishte në luftë.
Ushtria u urdhërua të marrë përsipër mbrojtjen e institucioneve dhe tanket dolën në rrugë për herë të parë që nga koha e diktaturës. Deri tani ka pasur 18 të vdekur, me qindra të plagosur e më shumë se 7000 të arrestuar.
Pasi pa reagimin masiv nga populli, Pinjera deklaroi të enjten se e kishte kuptuar shumë qartë mesazhin e njerëzve dhe se kërkonte falje. Ai propozoi të zhbënte rritjen e çmimit të energjisë dhe premtoi reforma për ta ngritur pagën minimale në 480 dollarë në muaj.
Por për protestuesit kjo nuk mjafton dhe duan që Pinjera të largohet. Qeveria ka pasur mbështetje shumë të ulët nga populli prej muajsh, sipas sondazheve. Vetëm 29% e kilianëve kanë mendim pozitiv për administratën, dhe 83% e popullit e mbështet protestën.