Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, dëshiron që kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, të qëndrojë në La Liga edhe më tutje, duke reaguar kështu ndaj lajmeve të fundit se argjentinasi do të largohet nga Camp Nou verën e ardhshme.
Gazeta spanjolle Cadena Ser raporton se kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, është i lodhur nga akuzat dhe fajësimi për të gjitha problemet në klubin katalonas dhe dëshiron të largohet në fund të kontratës së tij aktuale, në qershor të vitit 2021.
Messi i ka ndërprerë bisedimet me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës së tij, sipas Cadena Ser. Ai e kishte opsionin për t’u larguar nga Barcelona edhe më 10 qershor të këtij viti, thjesht duke zgjedhur ta bëjë këtë. Megjithatë, ai vendosi të mos e shfrytëzojë këtë klauzolë në kontratën e tij, të cilën e nënshkroi në nëntor të vitit 2018 dhe që është e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2021.
Pas fitores të së enjtes që e ngriti Real Madridin me katër pikë epërsi në krye të tabelës, Zidane e komentoi këtë lajm në konferencën për shtyp.
“Nuk e di çfarë do të ndodhë, por shpresoj të mos ndodhë ajo sepse ai është në këtë ligë dhe ne i duam më të mirët në ligën tonë”, tha Zidane.
Sipas Cadena Ser, Messi është i lodhur nga të gjitha problemet që e rrethojnë klubin, lajmet e dala nga brenda klubit, atmosfera e “çuditshme” në zhveshtore dhe, mbi të gjitha, faktin që disa drejtorë në klub e fajësojnë atë për gjithçka që shkon keq në Camp nou.
Messi ia ka treguar rrethit të tij të afërt për këtë pakënaqësi, duke u ankuar se ai nuk dëshiron të marrë përgjegjësi për asgjë më shumë sesa paraqitjet e veta në fushën e lojës. Ai madje i ka ndarë planet e tij për të ardhmen me disa lojtarë kyç të Barcelonës.
Messi fillimisht ishte menduar se do të qëndronte edhe më tutje në Barcelonë, por tani ai raportohet se e ka ndryshuar mendjen. Ai e ka shprehur bindjen e tij se Barcelona s’mund ta fitojë Ligën e Kampionëve me këtë skuadër që e ka dhe tani që Real Madridi po shkon drejt titullit të kampionit, Messi po fillon ta shohë fundin e karrierës së tij në Barcelonë.