Zgjedhjet, ndryshimet Kushtetuese në Shqipëri marrin miratimin e parë

0
Gjigandi

Në Shqipëri Këshilli i Legjislacionit në Parlamentin shqiptar miratoi sot ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë listave të hapura dhe heqin mundësinë e organizimit të forcave politike në koalicione parazgjedhore. Përfaqësuesit e palëve në Këshill, ranë dakort dhe për rishikimin e pragut të lejueshëm për garantimin e një mandate deputeti, por që do të parashikohet në Kodin zgjedhor. Ndryshimi, i cili pritet t’i nënshtrohet votës së palamentit në fund të muajit, është kundërshtuar me forcë nga opozita jashtë parlamentare e cila e ka cilësuar një shkelje të marrëveshjes së arritur me Partinë Socialiste, më 5 qershor, falë ndërhyrjes së përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë.

Deputetët e shumicës dhe ata të opozitës parlamentare, ranë sot dakort për formulimin e ndryshimit të dy neneve të Kushtetutës që lejon modifikimin e dy elementëve të sistemit aktual zgjedhor, duke zëvendësuar listat e mbyllura me ato të hapura dhe duke shmangur koalicionet parazgjedhore.

Ndërhyrja e parë prek Nenin 64 të Kushtetutës duke e ndryshuar atë në tërësi, ndërsa saktëson se deputetët zgjidhen “sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurim rajonal dhe prag kombëtar”. Në këtë formulim bie në sy përdorimi i termit “konkurim rajonal”, i cili mbetet i paqartë përsa kohë koncepti i rajonit, nuk ekziston si i tillë në ndarjen administrative, ku parashikohen qarqet dhe bashkitë.

Duke qenë se listat e hapura krijojnë problem për përfaqësimin gjinor, atëherë është parashikuar vendosja e një dyshemeje prej dy të tretash për votën parapëlqyese. Mbetet për t’u parë se cili mekanizëm do të shërbejë për ta vënë atë në zbatim në kodin zgjedhor, dhe sa do e komplikojë procesin e votimit dhe të numërimit.

Sa i përket pragut kombëtar, niveli i tij, do të përcaktohet në kodin zgjedhor. Palët kanë rënë dakort që pragu “nuk duhet të jetë pengues për partitë e vogla, nuk duhet të frenojë dhe dekurajojë konkurencën politike, sikurse nuk duhet të nxisë fragmentimin e Parlamentit apo të dëmtojë stabilitetin e qeverisjes”.

RonaTyra

Listat e hapura shmangin automatikisht koalicionet parazgjedhore, duke qenë se e bëjnë të pamundur teknikisht administrimin e procesit. Ndërsa në tekstin aktual të Kushtetutës, në Nenin 68 përcaktohet se “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit”, nocioni koalicion është hequr në riformulimin e këtij neni.

Në fakt, sistemi aktual favorizon koalicionet duke i dhënë më shumë vlerë votave të partive të vogla nën ombrellën e një partie të madhe. Dhe në konfigurimin aktual politik, shmangia e koalicioneve, duket se do t’i shkonte më për shtat Partisë socialiste. Ndryshimet ndërkaq, do të çojnë detyrimisht në rishikimin e Kodit zgjedhor në mjaft aspekte të tij.

REAGIMET

Vendimi i shumicës për të mbështetur nismën e propozuar nga opozita parlamentare për listat e hapura është kundërshtuar me forcë nga opozita jashtë parlamentare. Edhe sot në një deklaratë të përbashkët të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj theksohet se “tentativa për prishjen e Dakordësisë së 5 Qershorit, të arritur me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e plotë të partnerëve strategjikë SHBA – BE, është përgjegjësi VETEM e Edi Ramës”. Sipas deklaratës “çdo lojë e pisët për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe të njënashme Kushtetutën… kërcënon rëndë stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit”. Opozita saktëson se “i qëndron plotësisht kthimit në ndryshime ligjore, pa asnjë ndryshim të Dakordësisë së 5 Qershorit, si baza minimale për krijimin e një klime normale për zgjedhjet në Shqipëri”

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij është shprehur se marrëveshja e 5 qershorit nuk do të preket dhe se do të miratohet pas asnjë ndryshim në parlament, por sipas tij, parlamenti dhe deputetët, “nuk mund të ndalohen të shkojnë përtej asaj kornize”.

Mbi zhvillimet lidhur me reformën zgjedhore, dhe ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave, reagoi mbrëmjen e së martës për herë të parë dhe presidenti Ilir Meta, sipas të cilit “parlamenti i Shqipërisë ka vetëm 82 deputetë legjitimë”, ndërsa shprehet se procesi i zëvendësimit të deputetëve të opozitës, që hoqën dorë nga mandatet “ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor”. Sipas presidentit Meta “është koha t’I jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës duhet qartë. Të gjithë të distancohet nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët”.

Nuk vonoi shumë, dhe brenda pak minutash mbërriti kundërpërgjigja nga kryeministri, i cili i drejtohej jo vetëm kreut të shtetit por dhe opozitës jashtë parlamentare. Kësaj të fundit, zoti Rama ju drejtua duke përsëritur se “kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë”, por këtë herë shoqëruar me paralajmërimin se dhe mund të mos i qëndrojë këtij zotimi. “Kjo s’do të thotë sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë”, shkruajti ai në Tëitter.

Ndërsa presidentit Meta “i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit…”, shkruajti zoti Rama.

Pak pas tij sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, publikoi një deklaratë e Zv.kryetarit të Grupit të CDU-CSU në Bungestag Johann David Wadephul. Sipas tekstit të bërë publik nga zoti Bardhi, deputati gjerman vlerëson se ““….ndryshimet kushtetuese do të minonin tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonin atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit” dhe se një veprim i tillë do të shkonte kundër vendimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. “Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje”, lexohet në deklaratën e publikuar nga sekretari i përgjithshëm i PD-së./Voa/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu