Në fakt, çështja e diskutimit për presidentit është pika e fundit e rendit të ditës në mbledhjen e kryesisë. Zyrtarisht, në fillim të mbledhjes do të diskutohet për procesin e zgjedhjes së 61 kandidatëve të PS në 61 bashki. Ndaj, mbledhja e nesërme mund të zgjasë deri në mbrëmje vonë.
Kryesia do të vendosë për emrin e kandidatit për president, i cili më pas, do t’i paraqitet formalisht grupit parlamentar të partisë. Pas nesër, të shtunën në mëngjes do të mblidhet komisioni i Ligjeve për të certifikuar kushtetuteshmërinë e kandidatit e më pas, do të mblidhet seanca plenare.
Në korridoret politiko-mediatike përfliten disa figura të mundshme. Në fund të fundit, të gjithë janë të ndërgjegjshëm se kandidati është nomenkalturë personale e Edi Ramës. Që do të thotë, nuk pritet të ketë kontestime nga brenda për propozimin që do të bëjë Rama në grup.
Të paktën 2 nga këto figura që përfliten në korridoret e PS, kanë marrë ditët e fundit “certifikatën e pastërtisë” nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Megjithatë, nuk përjashtohet fakti që këta “kandidatë” të jenë pajisur me certifikatën thjesht për të qenë kandidatë potencialë dhe për t’i pasur “letrat në rregull”.
Misterin mbi emrin e presidentit e shton disi edhe mungesa fizike e Edi Ramës në Shqipëri. Ai gjendet në Nju-Jork në sesionin e Këshillit të Sigurimit dhe pritet të mbërrijë rreth mesnatës në atdhe.
Nuk është çudi që presidenti të jetë një emër i papërfolur dhe që sot gjendet vetëm në kokën e Ramës, por megjithatë, le t’i hedhim një sy “kandidatëve” të deritanishëm.
Për momentin, në ‘pole position’ janë Ardian Dvorani dhe Majlinda Bregu.
I pari, anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani është një personazh i përmendur shumë kohët e fundit, sidomos pas përballjes së tij me presidentin Meta, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Megjithëse një prokuror i vjetër, Dvorani do të ishte një produkt 24 karatësh i “reformës në drejtësi” dhe i pari president që vjet nga “bota e ligjit”. Një ditë më parë, Taulant Balla deklaroi në një intervistë për “Euroneës” se nëse kryesia e PS e pranon, vetë ai do ta kishte votuar me dëshirë Dvoranin. “Bonusi” për kandidaturën e Dvoranit është fakti që ai u shpall vitin e kaluar si “Kampion i antikorrupsionit” nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Kandidaturë tjetër serioze është ajo e ish-ministres së Berishës dhe ish-drejtueses së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Nëse Bregu do të propozohej zyrtarisht nga PD si kandidate për deputete, me gjasë ajo do të ngjitej në krye të shtetit.
Por, formalisht PS nuk e ka.