Zemra i rrah për Barcelonën, andaj nuk do ta shohim Lionel Messin të largohet asnjëherë nga Camp Nou – vetëm kur të vijë dita t’i varë atletet…
Ish drejtori i Interit, Marco Branca, ka zbuluar se në vitin 2008 klubi italian ka tentuar ta transferojë Lionel Messin nga Barcelona.
32-vjecari, që është shndërruar në një prej më të mirëve në histori dhe ka fituar gjashtë herë Topin e Artë, ishte vetëm 21-vjeçar kur klubi italian tentoi ta bindë që ta veshë fanellën zi e kaltër.
Por, lojtari nuk deshi, Leo qëndroi në Barcelonë për të shkruar histori, ku fitoi gjithçka që mund të fitojë një futbollist.
“Po, ne bëmë lëvizje, por Leo nuk donte të largohet nga Barcelona”, zbuloi Branca. “Ai i ishte mirënjohës klubit për gjithçka që kishte bërë për të. Paratë nuk vinë gjithmonë në rend të parë”.
Branca ka punuar me Interin pas karrierës si futbollist nga viti 2002 deri në shkurt të vitit 2014 dhe ka blerë lojtar si Diego Milito, Samuel Eto’o dhe Wesley Sneijder.