Policia e Tiranës deklaroi se ka zbardhur dhe dokumentuar autorësinë e vrasjes së 26-vjeçarit Santiago Malko duke shpallur në kërkim 8 persona.
Gjate aksionit jane sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre.
Në vijim të punës për zbardhjen e vrasjes së 26-vjeçarit S. M., Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune intensive hetimore, arritën të dokumentojnë autorësinë e ngjarjes së ndodhur në datë 27 gusht 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku u vra me armë zjarri shtetasi S. M.
Dokumentimi i autorësisë së kësaj ngjarje të rëndë kriminale është rezultat i një pune profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor dhe më datë 27 shtator 2019 , Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur si masë sigurimi personal “Arrest me burg” në mungesë, ndaj shtetasve:
Leonard Duka, Orion Loga, Dritan Agai, Erlis Duka, Ilir Selmani, A. M., Xh. N., (të shtatë banues në Tiranë) dhe Fatmir Hyseni, (M.,) banues në Vlorë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vlerësuar dhe suportuar punën hetimore dhe procedurale të Policisë së Tiranës dhe Prokurorisë dhe ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për ti klasifikuar në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuarit për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Më herët po për këtë ngjarje është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe shtetasi B. T., banues në Tiranë .
Grupi hetimor gjatë veprimeve procedurale ka arritur të gjej dhe sekuestroj në cilësinë e provës materiale 8 automjete, mes tyre dhe automjetet e përdorura nga autorët për të kryer krimin, si dhe sendet e gjetura në brendësi të tyre .
Grupi hetimor vijon me intensitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të, si dhe lokalizimin e kapjen e personave te mësipërm të cilët tashmë janë të shpallur në kërkim.
Gjithashtu kjo ngjarje i ka kaluar Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për ndjekje të mëtejshme.