Në kërkim prej disa vitesh dhe i dënuar me 10 vite burg nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda, Policia e Elbasanit ka arrestuar një nga pjesëtarët e një grupi kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë.
Operacioni i koduar “Papër” çoi në pranga 38- vjeçarin, Ervis Hasankolli, banues në fshatin Papër, nga ku edhe mori emrin operacioni. Policia tha se operacioni u ndërmor pas informacioneve në rrugë operative që informuan Policinë për praninë e të kërkuarit në banesën e tij. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë në vitin 2016, e ka dënuar me 10 vjet burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
GRUPI
Ndryshe nga bashkëpunëtorët e tij, gjykimi ndaj Hasankollit u zhvillua me procedurë normale, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi në vitin 2016 dënimin e tij me 11 vite burg, duke e akuzuar atë si pjesë të një grupi që trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Arrestimi ndaj anëtarëve të grupit u bë më 16 prill të vitit 2014 pranë pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, të cilët po tentonin të kalonin drejt shtetit grek një sasi prej 2.6 kg heroinë. Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar që 7 të akuzuarit ishin pjesë e një grupi që merrej me trafikimin e drogës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë
Në total, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi në atë kohë dënimin me 74 vite burg të gjashtë të akuzuarve, përkatësisht shtetasve Aleks Kreci; Shyqyri Hasalla; Ardian Shurdha; Eli Djali; Dritan Qesja dhe Ervis Haskolli.
DOSJA E PROKURORISË
Në datën 16.04.2014, rreth orës 17:00, në aksin rrugor Bilisht-Kapshticë, afër Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë bënë në automjetin tip “Ford” (furgon), njërit prej pasagjerëve, Ardian Shurdhës, iu gjetën në trup, poshtë bluzës që kishte veshur, 5 pako me lëndë narkotike heroinë. Bashkë me të udhëtonin edhe dy persona të tjerë, Eli D., e Dritan Q.
Pak më larg tyre, më në afërsi të pikës së kalimit, punonjësit e Policisë ndaluan dhe ushtruan kontroll edhe në një automjet tjetër “Mercedes Benz”, që i paraprinte furgonit, në të cilin udhëtonin Shyqyri Hasalla (drejtuesi i automjetit dhe njëkohësisht pronar i tij) dhe Aleks Kreci e Ervis Hasankolli.
Pakot me lëndë narkotikë u sekuestruan dhe të gjithë personat e përmendur më lart u arrestuan, pasi nga hetimet e kryera rezultonte se ata me veprime bashkëpunuese po tentonin të kalonin jashtë territorit shqiptar, në Greqi, sasinë e lëndës narkotike që u sekuestrua. Po atë natë, u arrestua në Elbasan edhe Renato Shopi. Ardian Shurdha pranoi se sasinë e narkotikut po e dërgonte në Greqi duke kaluar nga mali.
Shyqyri Hasalla, Ervis Hasankolli e Aleks Kreci, pohuan se po udhëtonin drejt Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, për të kaluar në shtetin grek. Të arrestuarve iu sekuestruan edhe kartat telefonike dhe aparatet celularë, nga të cilat u vërtetua se vërtet ata i kishin përdorur numrat celularë që ishin interceptuar. Organizator i trafikut, financuesit dhe siguruesi i heroinës ishte shtetasi Renato Shopi, i cili bënte marrëveshjet me transportuesit dhe pritësit e drogës nëpërmjet telefonit, duke e trafikuar drogën përmes kufirit të gjelbër me shtetin helen.
“Merri ato vezët o bab çoji atje ke komodina ime, a ngjove? Vezët, vezët”, ishte një nga bisedat e përgjuara më datë 12 prill të vitit 2014. Ndërsa në një bisedë tjetër, një prej anëtarëve të grupit shprehte shqetësimin për praninë e Policisë. “Në telefonatën e orës 21:54:59, të datës 12.04.2014, Shyqyriu njoftoi Renaton se kishte parë një makinë që kishte kaluar disa herë para tij dhe dyshonte se mos ishte ndonjë makinë policie, prandaj i kërkoi Renatos ta verifikonte”
, thuhet në dosje.