Ajo fishkëllimë. Shumë pak duhet që ta dëgjoni që ajo t’u kalojë mornica, veçanërisht kur është e shoqëruar me imazhe të dokumentarit nga ngritja e Murit të Berlinit më 1961, deri te brohoritjet e gjermanëve lindorë ku ai bie, e të vallëzimet e ushtarëve sovjetikë.
Balada e fuqishme “Wind of Change” është përfundimisht melodia e rënies së bllokut komunist. Ishte shkruar nga rock-grupi gjerman “The Scorpions” në shtator të 1989, dy muaj para rënies së Murit të Berlinit. Falë tekstit anglisht, e kapi gjendjen emocionale përgjatë gjithë bllokut lindor dhe shpresën e njerëzve për ndryshim.
Rreth 14 milionë kopje të kësaj kënge janë shitur në gjithë botën. Ishte pjesë e 78 top-listave kombëtare dhe një version i ribërë i lansuar në vitin 2009 është parë në “YouTube” më shumë se 765 milionë herë.
Lideri i “The Scorpion”, Klaus Meine, ka thënë se pjesëmarrja e grupit në festivalin e njohur “Moscow Music Peace” në gusht të vitit 1989 e kishte shtyrë atë që ta shkruante këngën.
Ai e ka përshkruar momentin e inspirimit për gazetën gjermane “Hamburg Abendblatt”: “Të gjithë ishim së bashku një mbrëmje – gjermanët, rusët dhe muzikantët amerikanë, gazetarët dhe po ashtu anëtarë të Ushtrisë së Kuqe (sovjetike) – të gjithë në një barkë në lumin Moskva duke shkuar në parkun Gorky. Ky ishte vizioni: E gjithë bota duke u mburrur, të gjithë duke folur gjuhën e njëjtë – muzikën.