Votimi i shqiptarëve nga jashtë, një sfidë politike dhe teknike

0
40
Gjigandi

Shqipëria pritet të nisë përgatitjet për të siguruar votimin e shtetasve që banojnë jashtë vendit. OSBE e cilësoi realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të shqiptarëve si një çështje urgjente, sa kohë që një e treta popullsisë së Shqipërisë banon jashtë vendit.

Kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi, thotë që, për suksesin e këtij procesi, nevojiten mirëkuptim i gjerë mes partive politike dhe afro 18 muaj kohë për ndryshimet ligjore.

Për të realizuar votimin e shqiptarëve që banojnë jashtë vendit, partitë dhe institucionet kanë përpara një seri sfidash politike dhe teknike.

Pas një mirëkuptimi të gjerë shumëpartiak, duhen miratuar një seri ndryshimesh ligjore dhe rregulloresh për të arritur teknikisht besueshmërinë e një votimi të rregullt.

Në një konferencë të përbashkët me KQZ-në, kryetari i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo del Monaco, thotë se votimi nga jashtë vendit është është një çështje urgjente dhe një e drejtë kushtetuese dhe se shqiptarët meritojnë të zgjedhin dhe të përfaqësohen në jetën jetën politike të vendit të tyre, pavarësisht se ku jetojnë.

“Sipas statistikave zyrtare, më shumë se 1/3 e popullsisë së Shqipërisë banon jashtë, nga të cilët më shumë se 1,3 milionë kanë të drejtën për të votuar. Kjo është një pjesë e madhe të popullatës, e cila ka dhënë kontribut për zhvillimin dhe mirëqenien ekonomike e kulturore të vendit dhe që do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë”

– tha ambasadori Del Monaco.

Diaspora shihet shpesh si një ndihmë për të tërhequr investime, për të sjellë në Shqipëri paratë e remitancave në familje dhe për të dituritë në Shqipëri, por ajo ende nuk ka me Atdheun lidhje të forta politike dhe qytetare me atdheun, derisa ende nuk i mundësohet që të votojë nga jashtë për të zgjedhur deputetë.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, tha se votimi nga jashtë është një e drejtë kushtetuese për një numër të madh shqiptarësh, që jetojnë në shtete të tjerë.

“Ne nxitim punën serioze të insitucioneve të paanshme për t’u siguruar që në zgjedhjet e ardhshme do të plotësohen standartet më të larta dhe detyrimet e kërkuara nga Kushtetuta.

SHBA do të vazhdojnë mbështesin fort reformat, që janë të nevojshme për të fuqizuar institucionet shqiptare, të tilla si reforma zgjedhore dhe reforma gjyqësore. SHBA do të mbështesin procese zgjedhore, që do ta ndihmojnë shqipërinë të integrohet plotësisht në familjen europiane, ku i takon”

– tha ambasadorja Kim.

Kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi, thotë se mosbesimi i madh që kanë forcat politike ndaj njëra tjetrës për zgjedhjet brenda Shqipërisë bëri që ato të mos punojnë për votimin nga jashtë.

Ky proces, sipas tij, ka nevojë për një mirëkuptim të plotë mes palëve, dhe pritet të zgjasë deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, sepse duhet të hartohen amendamente dhe rregullore sa një Kod i ri zgjedhor vetëm për votimin nga jashtë.

“Në pikëpamjen time, votimi nga jashtë, veçanërisht në herën e parë të tij, ka si kusht të domosdoshëm pasjen e një konsensusi sa më të gjerë politik, thuajse të plotë, mbi çdo aspekt përgatitor dhe realizues të këtij procesi” –

thotë zoti Celibashi.

Partitë shqiptare janë të njohura për humbjen e kohës me reformat zgjedhore dhe zvarritjen e marrëveshjeve deri në kufijtë e afateve.

Shqipëria është vendi me një nga diasporat më të mëdha në botë. Më shumë se një e treta e shtetasve të saj jetojnë në mënyrë të përhershme jashtë vendit. Por edhe pse e kanë emrin në Regjistrin e Zgjedhësve, e vetmja mënyrë që të votojnë, është që të vijnë fizikisht në Shqipëri.

Sipas një Anketimi të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, publikuar në fillim të këtij muaji, shumica e qytetarëve dëshirojnë që kjo e drejtë e diasporës të bëhet realitet dhe ata ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje.

Ekspertët besojnë se votuesit nga diaspora nuk bien nën presionet e partive politike si ata brenda vendit, se mund të ndikojnë fuqishëm me votën e tyre mbi sistemin politik aktual të vendit, ndaj edhe partitë nuk kanë nxituar këto 30 vjet pluralizëm politik, që t’ua sigurojnë atyre këtë të drejtë kushtetuese./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu