Ushtria amerikane veproi me shpejtësi pas informacioneve të zbulimit

0
Gjigandi

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper dhe Nënpresidenti Mike Pence thanë se informacione zbulimi të minutës së fundit u mundësuan forcave speciale hapësirën e nevojshme për të zhvilluar sulmin ndaj udhëheqësit të Shtetit Islamik Abu Bakr al-Baghdadi, pasi Presidenti Donald Trump dha miratimin këtë javë.

Nënpresidenti Mike Pence i tha kanalit CBS News si deri të enjten pasdite, Shtetet e Bashkuara kishin të dhëna të sakta se Baghdadi do të gjendej në Idlib të Sirisë. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara morën informacion të mëtejshëm të shtunën në mëngjes që përcaktoi vendimin për të zhvilluar operacionin gjatë natës.

Një zyrtar amerikan i tha Zërit të Amerikës se operacioni u planifikua në një bazë në Irak. Presidenti Trump tha se tetë helikopterë udhëtuan për gati një orë për t’iu afruar objektit ku ndodhej al-Baghdadi.

Sekretari i Mbrojtjes Esper tha se ushtarët synonin ta kapnin të gjallë, por se ishin përgatitur edhe për të kundërtën. Njësia i bëri thirrje al-Baghdadit që të dorëzohej.

“Ai refuzoi. U fut në një pjesë të nëndheshme dhe ndërsa filloi përpjekja për ta nxjerrë, mendojmë se ai shpërtheu një jelek vetëvrasës dhe i mori jetën vetes”, i tha Sekretari Esper kanalit CNN.

RonaTyra

Sipas Nënpresidentit Pence, opsionet e paraqitur nga ushtarakët u shqyrtuan nga Presidenti Trump të premten në mëngjes.

“Ai i shqyrtoi, bëri pyetje të shkëlqyera dhe zgjodhi opsionin që menduam se do të na jepte probabilitetin më të lartë për të dalë me sukses, si dhe konfirmimin se kreu i ISIS-it do të ishte vërtet aty dhe që do të kapej apo do të vritej”, shtoi Sekretari Esper.

Sekretari Esper tha se gjatë operacionit pati dy të plagosur lehtë në radhët e ushtarakëve amerikanë, por që tashmë janë rikthyer në shërbim. Presidenti Trump gjithashtu bëri të ditur se një qen i ushtrisë ishte plagosur.

Mazloum Abdi, komandanti i Forcave Demokratike Siriane që iu bashkuan SHBA-së për të mposhtur Shtetin Islamik në Siri, falenderoi Presidenti Trump në Twitter dhe shtoi se gjatë pesë muajve të fundit është monitoruar bashkarisht me SHBA-në dhe janë zhvilluar operacione zbulimi në terren.

Ai e quajti vdekjen e Baghdadit një “operacion të përbashkët”, si dhe foli për “operacione të tjera efikase” në të ardhmen mes SHBA-së dhe Forcave Demokratike Siriane. Ai më vonë shtoi se një tjetër operacion në rajon siguroi vrasjen e zëdhënësit të Shtetit Islamik, Hassan al-Muhajir. Zyrtarët amerikanë refuzuan të komentojnë këto mesazhe të zotit Abdi. Gjatë njoftimit të tij, Presidenti Trump falenderoi Forcat Demokratike Siriane, Irakun, Rusinë, Turqinë dhe Sirinë, krahas forcave amerikane, për të cilat tha se u treguan “kaq të guximshme dhe kaq të mira”./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu