Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kritikoi ish-ambasadoren e SHBA-së në Ukrainë, Marie Yovanovitch, duke thënë se ajo ka refuzuar ta varë fotografinë e tij në ambasadën amerikane në Ukrainë.
“Kjo ambasadore, për të cilën të gjithë thonë se ishte e mrekullueshme, nuk e ka varur fotografinë time në ambasadë”, tha Trump në një intervistë për Fox News.
Presidenti nuk dha detaje të tjera për këtë çështje.
Yovanovitch dëshmoi javën e kaluar para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në kuadër të hetimeve që po bëhen për shkarkimin e presidentit Trump.
Trump akuzohet se i ka bërë presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të zbuluar informacione të dëmshme për njërin nga sfiduesit e tij kryesorë demokratë, Joe Biden, dhe djalin e tij.
Trump e mohon çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në SHBA, është akt i paligjshëm.
Yovanovitch, diplomate e karrierës, është tërhequr nga ambasada amerikane në Kiev në maj, dy muaj përpara telefonatës së Trumpit me Zelenskyn.
Në bisedën për Fox News, Trump iu referua Yovanovitchit si “grua” dhe tha se ka dëgjuar “gjëra të këqija për të”.
Yovanovitch ka qenë njëra nga 12 dëshmitarët që kanë dëshmuar gjatë dy javëve të fundit në rastin Trump.