Policia ka vënë në pranga 3 shtetas, të cilët u kapën duke transportuar kundrejt fitimit 14 emigrantë të paligjshëm.
Në kuadër të operacionit policor “Perimetri”, janë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– O. B., 32 vjeç, banues në Farkë, Tiranë dhe A. M., 27 vjeç, banues në Zëmblak, Maliq, pasi këta shtetas janë kapur në vendin e quajtur “Lumi i Vërdovës” në Pogradec, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin me mjetet tip “Suzuki” dhe “Benz” në drejtim të Tiranës, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
– E. G., 27 vjeç, banues në Krujë, pasi ky shtetas u kap nga shërbimet e policisë në unazën e qytetit të Pogradecit, duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Mitsubishi”, 9 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 100 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.