Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu thotë se skuadra e tij me pak fat mund ta fitonte komplet ndeshjen ndaj Prishtinës.
Derbi i xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës mes Prishtinës e Dritës u mbyll pa fitues me rezultatin 1-1.
Golin e parë në këtë duel e shënoi mesfushori i Prishtinës, Endrit Krasniqi në minutën e gjashtë. Drita duroi deri në fund, ku edhe arriti golin e barazimit me Astrit Fazliut – në minutën e 80-të të derbit.
“Një derbi i mirë, kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Kishim raste, me pak fat mund ta fitonim duelin. Kishim shumë më shumë nga loja dhe me me pak më shumë përqëndrim mund ti merrnim tre pikë. Futbollistët treguan karakter pas golit te disavantazhit, vrapuan dhe luajtën mirë”, tha Nuhiu.
Nuhiu tregon se çka iu tha lojtarëve në pushimin e pjesës së parë, ku rezultati ishte 1-0.
“Ju thash vetëm vazhdoni me atë ritëm, vraponi më shumë dhe mbani topin nën kontroll. Nëse luani kështu nuk do të mungojë goli. Goli i barazimit ishte i praktikuar”, përfundoi ai.