Testimi i armës anti-satelitore, Rusia: SHBA-ja dhe Britania akuzohen për “shtrembërim të së vërtetës”

0
Gjigandi

Akuzat nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar se Rusia ka testuar së voni një armë anti-satelitore në hapësirë janë “një e vërtetë shtrembëruese”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

“Testet e kryera më 15 korrik nuk kanë përbërë kërcënim për anijet e tjera kozmike”, tha ministria, duke shtuar se nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar. Moska tha më herët se ka përdorur teknologji të re për të kontrolluar pajisjet e saj hapësinore. Por, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar thanë se janë të shqetësuara për aktivitetin satelitor.
“Jemi të shqetësuar për mënyrën se si Rusia testoi një nga satelitët e saj, duke lëshuar një predhë me karakteristikat e një arme”, tha të enjten kreu i drejtorisë hapësinore të Mbretërisë së Bashkuar, Harvey Smyth. Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu tha se ka vërejtur se Rusia ka përdorur atë që “duket se është armë anti-satelitore brenda orbitës”.
Në një deklaratë të premten, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se një nga satelitët “inspektorë” rusë “ka kontrolluar një anije kozmike ruse në distancë të afërt, duke përdorur aparate të specializuara të anijeve hapësinore”. Ajo tha se operacioni “nuk ka shkelur asnjë normë ose parim të ligjit ndërkombëtar”.
Ministria tha se SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar “po bëjnë përsëri përpjekje për ta paraqitur situatën në një mënyrë të shtrembëruar, me qëllim që t’i justifikojnë hapat e tyre për të vendosur armë në hapësirë”. Rusia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Kina janë në mesin e më shumë se 100 vendeve që kanë nënshkruar një traktat hapësinor, i cili kërkon që hapësira e jashtme të eksplorohet nga të gjithë dhe thjesht për qëllime paqësore. Traktati po ashtu thotë se armët nuk duhet të vendosen në orbitë ose në hapësirë./REL

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu