Në një komunikim me bizneset në Korçë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se ndryshimi do të vijë menjëherë me programin ekonomik të PD-së, i cili do të zbatohet sapo të vijë në pushtet.
“Në Korçën e qytetarisë dhe njerëzve të punës takova qytetarë dhe sipërmarrës të goditur rëndë nga kriza ekonomike. Korça ka një traditë të shkëlqyer të turizmit kulturor. Korçarët kanë një shpirt të veçantë tregtari ku prej 30 vitesh kanë ndërtuar sipërmarrje të fuqishme që punësojnë mijëra njerëz dhe rrisin mirëqenien. Sot këto sipërmarrje gjenden në prag të falimentimit. Tregtarët e vegjël në Korçë kanë lista të gjata të qytetarëve që nuk kanë mundësi të blejnë as ushqimet e përditshme për familjet e tyre. Veç rënies së xhiros, tregtarët përballen edhe me taksat e larta. Në kulmin e krizës ekonomike Bashkia ka dyfishuar tarifat për bizneset të cilët janë detyruar t’i paguajnë, pavarësisht premtimeve se ato do të shtyheshin”, shkroi Basha në Facebook.
Më tej shtoi:
“Për të parandaluar këtë situatë ne i propozuam qeverisë një sërë nismash, të cilat nuk i mori parasysh sepse paratë i duheshin për tendera sekret dhe pagesa koncesionesh korruptive, jo për qytetarët dhe biznesin. Qeverisja vetëm për një grusht njerëzish do të marrë fund! Partia Demokratike po përgatit planin ekonomik për rimëkëmbjen kombëtare. Ne do të kemi vetëm një taksë për biznesin e vogël, atë 0.5% të xhiros vjetore dhe të ardhurat do të shkojnë për pushtetin lokal. Taksën “RAMA” për karburantet do ta heqim si dhe do t’i japim fund abuzimeve nga banda e taksidarëve duke vendosur moratoriumin 1 vjeçar për veprimtarinë e tyre, derisa të miratojmë një kuadër të ri ligjor që garanton standarde dhe ligjshmërinë.”
Për ta përmbyllur me:
“Ne do të vendosim taksen 9% për bizneset e tjera. Do të krijojmë lehtësirat e nevojshme që qytetarët e Korçës, Pogradecit dhe kudo tjetër të mos shkojnë të bëjnë pazare në Maqedoninë e Veriut, ku çmimet e ushqimeve dhe karburanti janë më të lira. Vëmendja e qeverisë tonë do të jetë te zhvillimi ekonomik dhe punësimi dhe ne do bëjmë gjithçka në funksion të këtij prioriteti absolut.”