Studimi i Akademisë së Shkencave: Agresiviteti i koronavirusit nuk është ulur

0
Gjigandi

Akademia e Shkencave ka publikuar një studim të specialistit akademik Genc Sulçebe dhe Prof. Dr. Alban Yllit në lidhje me imunitetin e popullatës 5 muaj pas shpërthimit të COVID-19. Dy studiuesit konstatojnë se deri në qershor të këtij viti 6-7 përqind e popullatës së Tiranës ka fituar imunitet ndaj COVID-19.
Në fazën e parë të studimit (java e fundit e majit), u morën 128 dhurues gjaku, ndërsa në fazën e dytë (java e parë e korrikut) u studiua pozitiviteti i antitrupave specifikë ndaj virusit SARS-CoV-2 në 264 individë të moshave 20 deri 70 vjeç të përzgjedhur në mënyrë rastësore.
Gjithashtu në studim theksohet se COVID-19 ka shfaqur një agresivitet në vendin tonë në dy muajt e fundit qershor- korrik. Për këtë specialistët Sulçebe dhe Ylli kanë dhënë 8 rekomandime mbi atë se çfarë duhet të bëjnë autoritetet tashmë.
1. Duhet të ndërpritet lehtësimi i mëtejshëm i masave që kufizojnë grumbullimet e personave dhe të dekurajohen veprimtaritë që nxisin grumbullime masive të njerëzve. Shërbimet e restoranteve dhe bareve në mjedise të mbyllura, aktivitetet shkollore në mjedise të mbyllura, aktivitete artistike dhe sportive me spektatorë në salla të mbyllura, duhet të vijojnë të mbeten të ndaluara.
2. Të merren masa të rrepta për të siguruar mbajtjen e detyruar të maskave sidomos në mjedise të mbyllura publike, si dhe të shihet mundësia t’u sigurohen falas atyre që nuk kanë mundësi për t’i blerë ato.
3. Të përshkallëzohen aktivitetet inspektuese lidhur me respektimin e protokolleve të funksionimit të shërbimeve të tregtisë, transportit dhe industrisë.
4. Të vijohet me forma të ndryshme të ndërgjegjësimit të publikut lidhur me përshtatjen e sjelljeve vetjake për të ulur riskun nga infektimi. Fokus më i madh duhet treguar ndaj grupeve të veçanta të popullatës që shprehin rezistencë ndaj informacionit.
5. Të intensifikohet aplikimi i praktikave për mbrojtjen e grupeve me risk të lartë, sidomos të moshuarve.
6. Të inkurajohet kudo ku është e mundur puna nga shtëpia.
7. Të intensifikohen aktivitetet e testimit dhe izolimit të personave të infektuar në komunitet.
8. Të vijohet me inkurajimin e monitorimit serologjik në grupe të ndryshme të popullatës.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu