SpaceX është zyrtarisht gati për të dërguar dy astronautë të NASA-s në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për astronautët Douglas Hurley dhe Bob Behnken të cilët do të “shpërthejnë” sipër një rakete SpaceX Falcon 9, duke u nisur nga Kennedy Space Center në Florida.
“Është e shkëlqyeshme të jesh këtu në Qendrën Hapësinore Kennedy. Ne po dërgojmë edhe një herë astronautët amerikanë, në raketa amerikane, nga toka amerikane. Dhe ky është një moment i madh. Kanë kaluar nëntë vjet që ne kemi pasur këtë mundësi”, citohet të ketë thënë administratori i NASA-s, Jim Bridenstine ndërsa foli për media të martën.
Ndryshe, sipas Euronews, vetëm tri vende kanë futur njerëz në orbitë që nga viti 1961: Rusia, SHBA dhe Kina.
Astronautët Doug Hurley, majtas dhe Robert Behnken pozuan para një makine Tesla Model X gjatë një prove të veshjes
Në kohët e zakonshme, plazhet dhe rrugët përgjatë Bregut Hapësinor të Floridës do të ishin të mbushura me qindra mijëra spektatorë, të etur për të dëshmuar nisjen e parë të astronautëve nga Florida në nëntë vjet.
Por në epokën e coronavirusit, zyrtarët lokalë dhe NASA janë të ndarë nëse kjo është një ide e mirë.
Kështu, që, NASA dhe SpaceX po kërkojnë nga spektatorët që të qëndrojnë në shtëpi të mërkurën për arsye sigurie.
Raketa pritet të lëshohet të mërkurën nga Qendra e Hapësirës Kennedy në Florida në orën 4:33 pasdite (22:33 sipas kohës së Evropës Qendrore) dhe udhëtimi deri në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës zgjat 19-orë.