Sot takimi Trump – Erdogan; në axhendë Siria dhe raketat ruse

0
Gjigandi

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan viziton sot Shtëpinë e Bardhë për bisedime me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump. Dy udhëheqësit pritet të diskutojnë ndërhyrjen ushtarake turke në Sirinë veriore dhe blerjen nga Turqia të një sistemi rus të mbrojtjes ajrore.

Axhenda e publikuar përfshin edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s kanë shprehur shqetësim të thellë për blerjen nga Turqia të sistemit rus të raketave S-400, duke thënë se ato nuk përputhen me sistemet mbrojtëse të aleancës, dhe se përbëjnë rrezik për programin amerikan të avionit luftarak F-35.

Sistemi i raketave ruse S-400

Në përgjigje, Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përfshirjen e Turqisë me avionin F-35.

RonaTyra

Një zyrtar i lartë amerikan që foli për gazetarët përpara vizitës së zotit Erdogan, tha se çështjen e sistemit të raketave Presidenti Trump do ta diskutojë drejtpërsëdrejti.

“Siç e ka nënvizuar publikisht, ekzistojnë përfitime të jashtëzakonshme ekonomike në këtë marrëdhënie dypalëshe, një pjesë kyçe e së cilës janë avioni F-35 dhe roli i mundshëm i Turqisë në këtë program. Por, që të arrijmë aty, duhet të zgjidhim si aleatë çështjen e raketave S-400”, tha zyrtari.

Zëdhënësi i Presidentit Erdogan, Fahrettin Altun, tha në Twitter se Turqia ka qenë e qartë për arsyet e blerjes së raketave ruse.

“Nevoja e Turqisë për një sistem mbrojtjeje me raketa është urgjente. SHBA-ja duhet ta pranojë këtë dhe të mos lejojë dëmtimin e marrëdhënies tonë. Pjesëmarrja e Turqisë në programin e avionit F-35 është jetësore për partneritetin tonë të mbrojtjes”, shprehej zotin Altun.

Image

Avioni luftarak amerikan F-35

Një zyrtar i lartë amerikan tha se një tjetër prioritet i Presidentit Trump do të jetë situata në Siri, ku Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për një rishfaqje të mundshme të Shtetit Islamik, si dhe për të parandaluar “mizoritë humanitare ndaj minoriteteve fetare dhe etnike”. Presidenti Trump pritet të flasë edhe për çështjet e të drejtave të njeriut në Turqi./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu