Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nga seanca e sotme parlamentare, ngriti shqetësim, lidhur me situatën e koronavirusit me të cilën po përballet vendi dhe shifrat e larta të infektimeve.
Ajo deklaroi se prej disa javësh sistemi shëndetësor po përballet me një ngarkesë të madhe, për shkak të rritjes së numrit të të prekurve dhe të atyre që kanë humbur jetën.
Lidhur me situatën në dy spitalet Covid, bëri me dije se aktualisht janë mbi 120 të shtruar dhe dhjetëra të tjerë që janë të dyshuar dhe janë të shtruar.
Në këtë linjë ngriti shqetësimin se, “Me këto ritme shumë shpejt do të ezaurojmë kapacitetet e dy spitaleve dhe do shtrihemi në plan për të hapur spitalin e tretë dhe të katërt. Ne do të bëjmë detyrën tonë, do të forcojmë kapacitetet, por a është më e mira kjo, që të hapim spitale pafund se na rriten të prekurit, apo që secili të marrë përgjegjësinë individuale të vendosë maskën dhe të ulim të gjithë së bashku riskun për infeksionin”
Ajo kërkoi që secili të tregojë përgjegjshmëri për veten, familjen dhe bluzat e bardha, për të cilët tha se janë duke sakrifikuar.
Sipas Manastirliut, zbatimi i masave mbrojtëse duhet të kthehet në rutinë, duke ftuar se ashtu si vishemi ashtu duhet të vendosim edhe maskën, pasi tha se me normalitetin e ri, nuk do jemi më ashtu si ishim deri sa të dalë vaksina.
“Jam këtu për t’ju kërkuar mbështetje për të miratuar aktin normativ, e teksa e prezantoj shoh që disa nga ju maskën nuk po e mbani, e nëse ju nuk e mbani barrierën që ju mbron ju dhe kolegët, sigurisht që nuk mund të jeni shembulli më i mirë për t’u marrë, për masat që duhet të zbatojmë”, u shpreh ministrja.