Ish futbollisti i gjeneratës së artë të KF Prishtina, Shefqet Sinani, ka kujtuar për gazetarin Reshat Ibrahimi disa momente nga karriera e tij e artë në fanellën bardhekaltër.
Ish mbrojtësi i majtë ka luajtur për Prishtinën për dhjetë vite rresht (1977-1987) dhe pastaj në moshën 31-vjecare ka mbyllur karrierën e tij me më shumë se 300 ndeshje të zhvilluara.
Sinani ka lindur në vitin 1955 në Prishtinë. Në vitin 1977 nga Flamurtari kishte kaluar te Prishtina.
Sot 64 -vjeçari kujton ndeshjen që nuk e harron kurrë, fitoren e madhe në Beograd kundër Cërvena Zvezdës, fitoren ndaj Partizanit në Prishtinë, publikun e flaktë, sulmuesit më të rrezikshëm që i ka ruajtur, për trajnerin që e ktheu në mbrojtje e të tjerë.
Fitorja në Beograd kundër C. Zvezdës, ndeshje që s’e harron në jetë?
Ndeshjen që nuk e harroj asnjëherë në jetë ka qenë me Crvena Zvezdën në Beograd. Patëm fituar me rezultat 1:3 me dy golat e Zoran Batroviq dhe një Agim Cana. Pas ndeshjes nuk na u besonte se kemi fituar, sepse të shënosh fitore në Beograd kundër Zvezdës nuk ishte e lehtë. Unë në këtë ndeshje e kisha për detyrë ta ruaj Milosh Shestiqin dhe ia pata dal. Këtë ndeshje trajneri Fuad Muzuroviq e kishte studiuar mirë, pasi ne dhjetë më herët luajtëm me Zvezdën për kupë, patëm humbur me rezultat 3:2.
Për brohoritje Eho në “Marakana’, nga 3 muaj burg për tifozët shqiptarë?
Në këtë ndeshje ka pasur mbi 5.000 tifozë shqiptar nga Kosova që kishin ardhur për të na mbështetur në stadiumin ‘Marakana’ dhe e di se pas përfundimit të ndeshjes për brohoritje eho, Eho janë dënuar me nga tre muaj burg tifozët tanë, pasi shteti i atëhershëm jugosllav në atë kohë konsideronte se kanë thirrur Enver Hoxha! Në fakt ato ishin vetëm thirrje sportive.
Nga sulmues në mbrojtës?
Unë kam qenë sulmues, por trajneri i Prishtinës në atë kohë, i ndjeri, Ilija Dimovski gjatë përgatitjeve në Koshutnjak (viti 1980) në një ndeshje miqësore më ktheu të luaj mbrojtës dhe aty mbeta. Në fillim kisha frikë, por me kalimin e kohës u adaptova në pozitën e mbrojtësit të majtë. E mbaj mend se në atë ndeshje miqësore trajneri Dimovski mua dhe të ndjerin Fevzi Rama na ktheu në mbrojtje, sepse edhe Rama më herët luante sulmues.
Sulmuesi më i rrezikshëm me të cilin ka pasur punë?
Po në atë kohë ka pasur shumë sulmues të rrezikshëm. Ishin Dragan Mance i ndjerë, Milosh Shestiq i Zvezdës së Beogradit, vëllezërit Zllatko e Zoran Vujoviq të Hajdukut nga Spliti, Stjepan Deveriq nga Dinamo Zagreb, Sead Kajtaz nga Velezhi i Mostarit. Mirëpo, për mua më i vështirë ishte Sead Kajtaz, ishte shumë i shpejtë.
Fitorja ndaj Partizanit në Prishtinë?
Kjo foto është me Partizanin e Beogradit në vitin 1983 në Prishtinë. Patëm fituar 2:1. Unë e ruaja Zvonko Zhivkoviqin, kurse Rama i ndjerë e ruante Dragan Mancen e ndjerë. Mance ishte i rrezikshëm na shënoi gol. Ka qenë i shkathët dhe i shpejtë. Për fat të mirë edhe unë isha i shpejtë. Partizani kishin frikë, sepse për herë të parë luanin në stadiumin e qytetit në Prishtinë, i cili ishte plot me shikues. Publiku ishte lojtari ynë i 12-të në çdo ndeshje. Ne gjithmonë kemi pasur stadiumin plot me shikues dhe për këtë iu kemi qenë shumë mirënjohës.
Shefqet Sinani sot jeton në Prishtinë, ndërsa është i angazhuar në FFK si koordinator në një projekt të U15 të Kosovës. Ai ka një djal dhe dy vajza, ka edhe dy nipa e dy mbesa.