Sot një qytetarë nga Komuna e Podujevës ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari ka thënë për RTV Dukagjinin se 80 vjeçari tashmë i ndjerë ka pasur edhe sëmundje tjera por që coronavirusit nuk mundi t’i mbijetojë.
“Baca Sheqë ka qenë aktiv gjatë gjithë periudhës së tij jetësore në çështje të ndryshme humanitare dhe solidare por edhe me pushkë në luftën e fundit të Kosovës”, tha ai.
Rudari thotë se gjendja në Komunën e Podujevës sa i përket coronavirusit është stabile.
“Kemi 22 raste aktive me coronavirus, ku prej tyre pesë janë duke u trajtuar në klinikat e QKUK-së ndërsa të tjerët në shtëpi por që janë në gjendje stabile shëndetësore”.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës ka bërë thirrje te qytetarët që të kenë kujdes në veprimet e tyre në këtë kohë pandemie.
Ai ka bërë thirrje veçanërisht me rastin e varrimit të personit që sot ka ndërruar jetë në QKUK.
“Bëj apel te kjo familje që me rastin e varrimit të bacës Sheqë të kenë kujdes të shtuar dhe të mos marrin pjesë në numër të madh në varrim si e kemi zakon në Llap. Por edhe në të pame të kenë kujdes në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të tjerët nga ky virus vdekjeprurës”, tha ndër të tjera Nexhmi Rudari.