Brikena Krasniqi, nga Prishtina, nënë e dy djemve, 10 dhe 4- vjeçar, thotë se kur Kosova hyri në izolim në muajin mars si pasojë e pandemisë, ajo e kishte të vështirë që t’u shpjegonte fëmijëve se çka po ndodhte.
Jeta e tyre kishte ndryshuar shumë. Fëmijët nuk mund të dilnin jashtë si më parë. Shkollat dhe çerdhet u mbyllën.
Ajo thotë se kjo situatë kishte ndikim te fëmijët në aspektin psikologjik, por edhe fizik, për shkak se atyre iu ndërprenë dhe iu limituan aktivitetet.
Dalja jashtë shtëpisë do të thotë edhe vlerësim se a mund të infektohen nga virusi.
“Djali im i madh 10-vjeçar, ka hasur në vështirësi, mirëpo ne si prindër është dashur që të marrim vetiniciativa dhe të organizojmë qoftë me familjarë ose me shoqërinë e tij aktivitete në natyrë, si për shembull dalja me biçikletë ose dalja me ecë në park, duke iu bërë të gjitha vlerësimet e çdo aktiviteti të mundshëm në atë se a janë bartës të COVID-19 dhe për ne ishte mjaft e vështirë dhe stres”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Krasniqi tregon se gjatë këtyre muajve ajo ka parë se fëmijët kanë kaluar më shumë kohë duke përdorur pajisjet teknologjike si telefon dhe tabletë, duke luajtur me shokët e tyre online.
Kjo i ka mbrojtur ata që të mos infektohen, mirëpo për Krasniqin kjo “nuk ishte e mirëseardhur aspak, për shkak se unë preferoj shumë që fëmijët të dalin në natyrë, të dalin të vrapojnë dhe të kenë shumë më shumë jetë sociale sesa virtuale”.
Si të flasësh më fëmijët për pandeminë?
Krasniqi thotë se ndikimi psikologjik ishte më i madh te djali i saj 4-vjeçar, të cilit e tërë kjo situatë e krijuar nga pandemia i është manifestuar me frikë.
“Psikologjikisht ju ka ndikuar mjaft rëndë fëmijëve dhe sidomos për djalin e vogël, i cili është 4-vjeçar dhe për të ishte një botë krejt ndryshe dhe një stres shumë i madh sa që tek ai është kthyer në frikë që të mos flejë vetë, gjë të cilën nuk e ka pasur asnjëherë më herët dhe tash nuk dëshiron të flejë vetë”, tregon ajo.
Sipas psikologut Besnik Peci, kur shihet se pandemia ka ndikuar në rritjen e frikës te fëmijët, prindërit duhet t’i dërgojnë ata te psikologu.
Duke komentuar mbi ndikimin e pandemisë te fëmijët, Peci thotë për Radion Evropa e Lirë se rekomandimi i tij kryesor është që prindërit të komunikojnë hapur për situatën me fëmijët e tyre.
“Ju kisha sugjeruar prindërve që, thjesht, t’i dëgjojnë nevojat e fëmijëve të tyre të bisedojnë me fëmijët, varësisht nga mosha, ta zëmë moshat e vogla përmes tregimeve, përmes vizatimeve, dhe përmes storjeve (rrëfimeve) që përçojnë mesazh kujdesi. Thjesht, le t’i informojnë ata mbi rëndësinë dhe mbi kujdesin që duhet ta kenë gjatë kësaj periudhe të pandemisë”, thotë psikologu Peci.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) kanë publikuar disa këshilla për prindërit se si të kujdesen për fëmijët gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Në mesin e këtyre këshillave, thuhet se prindërit duhet të flasin me fëmijët e tyre hapur dhe të përgjigjen sinqerisht në lidhje me pandeminë.
Njëra ndër këshillat e tjera është se prindërit duhet t’u shpjegojnë fëmijëve se koronavirusi nuk ka të bëjë me atë se prej nga është personi i sëmurë, ose çfarë gjuhe flet.
Gjithashtu, në momentin kur fëmijët fillojnë të bëjnë sjellje jo të mira, prindërit këshillohen që të mos i qortojnë, por t’i shpërqendrojnë ata me anë të ndonjë loje.
Ndërsa, sa i përket ngritjes së vetëdijes te fëmijët për të mbajtur higjienë, këshillat e OBSH-së dhe UNICEF-it për prindërit janë se ata duhet që të mundohen dhe ta bëjnë sa më argëtuese dhe me anë të lojërave, duke kënduar një këngë për 20 sekonda, e cila ka të bëjë me larjen e duarve, gjithashtu duke bërë një lojë, fitues i së cilës është ai i cili ka prekur më së paku herë fytyrën.
Sa i përket mbajtjes së distancës fizike nga ana e fëmijëve, këshillat për prindërit nga OBSH dhe UNICEF janë që ata duhet të ju shpjegojnë fëmijëve të tyre se janë duke bërë një punë të rëndësishme për shëndetin e vetes së tyre dhe për komunitetin duke mbajtur distancën fizike. Prindërit duhet të tregojnë vëmendje pozitive shtesë për fëmijët, të cilët bëjnë përpjekje për të praktikuar distancën fizike./REL