Boksieri amerikan Floyd Mayweather, 50 fitore e asnjë humbje në karrierë, ka postuar në rrjetet sociale lajmin se së shpejti mund të rikthehet në ring. Por nuk bëhet fjalë për një duel zyrtar, por për një tjetër sfidë “show”, si ajo e dy viteve më parë. Dhe sërish boksieri i pamposhtur pritet të duelojë në Japoni.
Mayweather shkruan se do të udhëtojë me avionin e tij privat në Tokio, ku do të takohet me kompaninë Rizin, për të organizuar një sfidë brenda këtij viti. Boksieri nuk ka përmenduar asgjë konkrete në lidhje me rivalin që do të ketë përballë në këtë sfidë apo se për çfarë bëhet fjalë më konkretisht.
Mayweather shprehet se së shpejti do të japë një lajm të madh, por ai ka nevojë për një emër të madh përballë në ring nëse dëshiron të ketë sukses në PPV (pay per view-paguaj për ta parë) në Amerikë. Por gjasat janë që kjo sfidë në Japoni të jetë një tjetër “show”, ku boksieri pritet të arkëtojë një shumë të majme parash.