Anësori i Fiorentinës, Franck Ribery, beson se Interi është në rrugë të drejtë por i nevojitet kohë për të korrur sukses dhe është i sigurt se Christian Eriksen do ta dëshmojë vlerën e një kampioni shumë shpejt.
Ish-përfaqësuesi i Francës foli për gazetën italiane La Gazzetta dello Sport për zikaltrit para ndeshjes ndaj tyre sonte në Serie A dhe pret që djelmoshat e Antonio Contes të vazhdojnë të rriten edhe sezonin e ardhshëm.
“Interi ka ekip të fortë që përbëhet nga kampionë. Ata sapo e kanë nisur rrugëtimin dhe kanë nevojë për kohë, por më duket se janë në rrugën e drejtë”, tha Ribery.
Ribery pret që ish-ylli i Tottenhamit Eriksen do ta tregojë veten në San Siro sapo të përshtatet futbollit italian.
“Ai sapo ka arritur në Itali dhe kur iu desh të adaptohej, futbolli u pezullua për tre muaj. Futbolli italian është i vështirë por me kohë Eriksen do ta tregojë vlerën e vet”, nënvizoi ai.