Ligjvënësit republikanë kanë intensifikuar kundërshtimin e hetimeve për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, duke protestuar që Komisioni i Zbulimit po merr në pyetje dëshmitarë në seanca dëgjimore të mbyllura për publikun dhe ligjvënësit e tjerë. Protesta është pjesë e një strategjie më të gjerë për të sulmuar procesin nëpërmjet të cilit ligjvënësit demokratë janë duke shqyrtuar akuzat se Presidenti Trump ka kërkuar ndërhyrje të huaj në zgjedhjet presidenciale të 2020-tës. Njofton nga Kongresi korrespondetja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson.
Presidenti Trump kërkoi që republikanët të luftojnë…
“Republikanët duhet të luftojnë më shumë…”, tha ai.
Aleatët e tij në Kongres e dëgjuan kërkesën dhe u mblodhën para hyrjes së mjediseve të klasifikuara ku po zhvillohen dëgjesat hetimore për shkarkimin e presidentit.
“Prapa atyre dyerve synojnë të zhbëjnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane. Duam të dimë ç’po ndodh atje”, tha Ligjvënësi republikan Matt Gaetz.
47 republikanë janë të autorizuar të marrin pjesë në punimet e komisionit. Dëshmitë zhvillohen zakonisht me dyer të mbyllura për t’u mundësuar hetuesve krijimin e dosjes. Por, Presidenti Trump dhe aleatët e tij në Kongres thonë se hetimet për shkarkimin nuk duhen zhvilluar me dyer të mbyllura.
“Bëjeni në publik. Mos ia fshihni popullit amerikan”, tha Ligjvënësi republikan Mo Brooks.
Republikanët ia kanë bërë thirrje Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, të thërrasë një votim për të formalizuar hetimin.
“Është një mënyrë shpërqëndrimi nga thelbi i akuzave dhe për ta bërë të gjithë procesin të duket sikur është i paligjshëm”, thotë Elaine Kamrack, e Institutit Brookings.
Shumica demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve siguron miratimin e akuzave për shkarkimin. Gjyqi që vijon në Senatin me shumicë republikane ka më shumë gjasa të jetë në favor të Presidentit.
“Kur bëhet fjalë për të hequr Presidentin e Shteteve të Bashkuara do të dëshiroja të kishim një proces që reflekton atë çfarë ne jemi si amerikanë dhe me hapësirat që iu lejuan Bill Clinton-it dhe Richard Nixon-it. Procesi i tanishëm në Dhomën e Përfaqësuesve mendoj se është një kërcënim për të ardhmen e presidencës”, tha Senatori republikan Lindsey Graham.
Më vonë, Presidenti Trump falenderoi Ligjvënësit republikanë që vonuan dëshmitë. Por, Shtëpisë së Bardhë i duhet një përqasje strategjike përtej mesazheve në Twitter të Presidentit Trump.
“Mendoj se po punojnë për të krijuar ekipin e imazhit publik”, thotë Senatori Graham.
Përgjithësisht, republikanët kanë refuzuar të komentojnë për përmbajtjen e akuzave, duke u fokusuar në fakt tek procesi i shkarkimit. Kjo përqasje duket se do të duhet të ndryshojë kur Kryetari i Komisionit të Zbulimit, Adam Schiff, të fillojë seancat dëgjimore publike muajin e ardhshëm.
“Strategjia e deritanishme ka qenë e Donald Trump-it. Gjatë gjithë kësaj presidence, ai ka folur vetëm për bazën e tij. Problemi me këtë është se baza e tij nuk e kalon 50%-shin”, thotë zonja Kamrack.
Republikanët përballen me një problem në rritje. Mbështetja e publikut për shkarkimin ka arritur në rreth 50%, që kur ligjvënësit demokratë filluan hetimet në muajin shtator./VOA