Rama: Finalja në Tiranë, ngjarje e bujshme. Prej Mourinhos tradhtova Juven

0
7
Gjigandi

Një festë shqiptare, një festë italiane. Tirana po përgatitet prej muajsh për finalen e “Conference League”. Dhe të mërkurën, në ditën e ndeshjes, të gjitha zyrat publike do të mbyllen për të lehtësuar organizimin dhe menaxhimin e eventit. Kryeministri Edi Rama është shprehur shumë i emocionuar.

Javën e kaluar, në profilin e tij në Instagram, kryeministri shqiptar postoi foton e një shalli të Romës, varur në kangjellat e stadiumit, vetëm për të kuptuar se mikpritësit e finales e kanë zgjedhur cilën anë të marrin. “Unë kam shpirt italian, – thotë ai, – gjyshja ime kishte gjak venecian. Dhe falë saj mësova gjuhën tuaj. Për mua italianët janë shqiptarë të veshur me Versace. Jemi vërtet të ngjashëm në kulturë dhe mentalitet”.

Ai është një personazh shumë i veçantë. Rama, ish-basketbollist, piktor, gazetar, kreu i qeverisë që nga viti 2013 ia ka ndryshuar tërësisht fytyrën Shqipërisë. “Corriere dello Sport” e kontaktoi për t’i dëgjuar ndjesitë e tij nga afër.

Kryeministër, kjo finale është një mundësi e madhe për Shqipërinë.

Eshtë e vërtetë. Përsa i përket imazhit, është një ngjarje e bujshme. Por për ne është edhe krenari ta presim këtë finale. Deri para disa vitesh, kombëtarja jonë nuk mund të luante në Tiranë sepse kishte një stadium të vjetër, që nuk përmbushte standardet ndërkombëtare. Tani kryeqyteti po pret për herë të parë një finale evropiane.

Çfarë atmosfere duket pak ditë para ndeshjes?

E pabesueshme. Dhe do të jetë më e nxehtë dhe më e ngrohtë nga tani deri të mërkurën. Ne do të jemi në lartësinë e eventit.

Ka shqetësime sigurie, me shumë tifozë italianë dhe holandezë që do të mbërrijnë pa bileta.

Ne jemi organizuar. Ata që nuk mund të hyjnë në stadium do të mund ta ndjekin ndeshjen në dy ‘fan zona’ të rezervuara për mysafirët tanë. I kërkova ndihmë policisë në Romë dhe Roterdam, të gjithë po bëjnë përpjekje për të ofruar mbështetje.

Tirana, edhe në mandatin tuaj si kryetar bashkie, ka evoluar shumë në dekadat e fundit.

Po përjetojmë një periudhë zhvillimi të madh, pas zbehjes së tmerrshme të epokës komuniste dhe kaosit urban që pasoi. Të gjithë ata që vijnë për të na vizituar janë të befasuar dhe duan të kthehen në Shqipëri.

Është e vërtetë që ju e përkrahni Juventusin?

Po, që kur isha fëmijë. Por tani që Roma drejtohet nga Mourinho është e vështirë për mua të zgjedh. Isha i magjepsur prej tij kur drejtoi Interin, aq sa në atë kohë më bëri të tradhtoja pak Juventusin. E vërteta është se nuk jam ekspert futbolli. Unë jam më i interesuar për trajnerët; prej tyre mund të mësoj karizmën, udhëheqjen, aftësinë për të menaxhuar një grup.

Të mërkurën fiton Roma.

“Mendoj se Feyenoord ka më pak shanse për ta marrë kupën, si të thuash. Holandezët do të luajnë jashtë shtëpisë, sepse Tirana është një Romë e vogël. Të gjithë shqiptarët do të bëjnë tifo për Romën.

Dhe ndoshta për Marash Kumbullën, i cili është shtetas shqiptar.

Unë nuk e njoh atë personalisht, por të gjithë këtu flasin mirë për të. Dhe nuk është një gjë e parëndësishme në Shqipëri që të bien dakord të gjithë. Marash është flamuri ynë dhe një lojtar i fortë. Ai ishte shumë i mirë për ta bërë José të ndryshonte mendje, duke fituar gradualisht hapësirë në formacion.

Çfarë do t’i rekomandonit Juventusit “tuaj” për t’u bërë sërish i madh?

Nëse do të mund të jepja një këshillë, do të bëhesha anëtar i shoqatës së trajnerëve të njohur që keni në Itali. Por ajo që ndodhi më parë më dukej anormale, domethënë Juve fiton gjithmonë.

Allegri?

Trajner i madh. Por po aq i madh ishte basti për ta rikthyer atë në stolin e Juventusit. Rikthimet janë gjithmonë të komplikuara.

Çfarë kujtoni nga e kaluara juaj në basketboll?

Isha një djalë me gjymtyrë të gjata. Kam luajtur si organizator, edhe pse jam i gjatë 1.98, sepse këtu nuk kishte gjigantë. Ne konsideroheshim kinezët e Europës (qesh). Edhe unë luajta në kombëtare në moshën 20-vjeçare, por u ndala shpejt, sepse vuaja nga astma. Kjo përvojë më ndihmoi, sepse më mësoi rëndësinë e lojës në ekip.

Prej aty lindi pasioni juaj për pikturën. Zyrën e keni plot me piktura dhe vizatime.

Duke lënë sportin zbulova se më pëlqente të pikturoja. Që nga viti 1991, kur ra regjimi komunist, kam filluar të udhëtoj nëpër botë.

Cili është Mourinho i artit?

Paolo Uccello. Për mua ai është zot i pikturës. Më moderni nga të gjithë modernët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu