Qytetarët ankohen se nuk e përballojnë dot blerjen e përditshme të maskave

0
Gjigandi

Në ambientet e mbyllura si dyqane dhe autobusë mbajtja e maskës është detyrim, por edhe në rrugë kohët e fundit vihet re një numër jo i pakët i qytetarëve të cilët përdorin maskë.

Megjithatë, qytetarët të shqetësuar për shëndetin e tyre, shprehen se nuk kanë mundësi t’i blenë çdo ditë, për këtë arsye një pjesë e tyre e përdorin maskën njëpërdorimshe disa herë.

“Ja ku e kam në dorë, nuk është e përballueshme, ne jemi dy pensionistë ku t’i gjejmë lekët. Edi Rama na i ka mbyllur të gjitha rrugët. Një maskë e përdorim tri ditë nga halli edhe më shumë marrim infeksion sesa…”, thotë një e moshuar.

“150 mijë lekë të ble përditë maska?! Paguaj drita ujë pastaj ngrohu në diell. E përdorim disa herë, vemë në shtëpi e lajmë e dezinfektojmë me raki”, shprehet një tjetër.

Farmacistja Muazeze Maçi tregon për Euronews Albania se maskat e certifikuara nuk duhet të përdoren më shumë se një herë, kjo pasi vetë maska mund të bëhet burim infeksioni.

RonaTyra

 “Jo vetëm një maskë kirurgjikale, por çdo lloj maske përdoret vetëm një herë dhe pastaj ajo hidhet, se nuk ka sesi ta përdorësh për herë të dytë, në një kohë kur mund ta përdorësh tre-katër orë dhe ajo është e mbushur me ato spërklat që çdo personi i dalin nga goja dhe hundët”, shpjegon farmacistja.

Pamundësia për të blerë çdo ditë maskë ka bërë që një pjesë e mirë e qytetarëve të zgjedhin maskën prej cope si një alternativë më ekonomike.

“E mbaj çdo ditë, e laj dhe e përdor. Më vjen më rehat përdorimi i këtyre maskave sesa të farmacisë”, thotë një qytetare.

“E mbajmë copë, e lajmë, e hekurosim, se përditë nuk e blejmë se nuk na del, se jemi pa punë”, shprehet një tjetër.

OBSH e ka udhëzuar përdorimin e maskave prej cope, por jo çdo lloj materiali është i rekomandueshëm.

Sipas OBSH, në mënyrë që maska prej cope të parandalojë infektimin e qytetarit me COVID-19 duhet të jetë e pajisur me tri shtresa, por me materiale të ndryshme.

Shtresa e brendshme e maskës duhet të jetë pambuk, shtresa e mesme me material polipropileni në mënyrë që të mundësohet filtrimi i ajrit dhe ajo e jashtme duhet të jetë poliestër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu