Vendimi i Këshillit Evropian për të mos hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas kundërshtimit nga Franca, Holanda dhe Danimarka, ka krijuar zemërim te vendet e tjera të BE, të cilat donin që ky proces të ndodhte. Mes vendeve më të zhgënjyera për vendimin negativ të KE është Italia, e cila ka shprehur gjithmonë mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, ka deklaruar pas vendimit të KE se do t’i propozojë Bashkimit Evropian të marrë sërish në shqyrtim hapjen e negociatave të për vendet ballkanike në muajin nëntor 2019. Për kryeministrin Conte vendimi i KE është një gabim historik, duke paralajmëruar se ky vendim i hapë rrugë aktorëve të tjerë, që të rrisin influencën në rajon.