Policia Rrugore në Tiranë gjatë 24 orëve të fundit ka vënë në pranga 8 shoferë pasi janë konstatuar duke drejtuar mjetet e tyre në gjendje të dehur dhe pa dokumentacionin përkatës. Ky aksion i policisë nuk ka kaluar pa masa ndëshkuese.
Nga të dhënat e bëra publike nga struktuarat e policisë raportohet se janë pezulluar në total 25 leje drejtimi nga të cilat; 12 për shpejtësi tej normave të lejuara, 11 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe dy të tjerë janë ndëshkuar pasi janë kapur në flagrancë duke bërë garë shpejtësie me njëri tjetrin.
Njoftimi i policisë:
Kontrolle të kombinuara me agjentë civilë dhe të uniformuar, në rrugë urbane dhe interurbane, për dokumentimin dhe procedimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve, që për nga rrezikshmëria, mbeten burimi kryesor i aksidenteve rrugore, me pasoja fatale për shëndetin dhe jetën e përdoruesve të rrugës.
Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pa Leje drejtimi. Janë pezulluar 12 Leje Drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara, 11 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit si dhe dy drejtues mjetesh janë ndëshkuar për gara shpejtësie.
Rrugorët e kryeqytetit do jenë të fokusuar edhe ditët në vijim në verifikimin e shkeljeve që janë burim për aksidente rrugore, pa asnjë tolerancë ndaj atyre që rrezikojnë veten dhe të tjerët, me mënyrën se si e përdorin rrugën dhe mjetin, në raport me rregullat e qarkullimit rrugor.#MosShpejtoDrejtVdekjes#MosGaroNëRrugë”-thuhet në njoftimin e policisë.