Përmirësohet besimi i bizneseve dhe konsumatorëve shqiptarë në maj për herë të parë gjatë vitit 2022

0
4
Gjigandi

Besimi i biznesit dhe konsumatorëve shqiptarë shënoi rritje për herë të parë gjatë vitit 2022.

Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike për muajin maj u rrit me 4.6 pikë përqindje. Rritja u përcaktua nga përmirësimi i besimit në shumicën e sektorëve ekonomikë, me kontribute më të theksuara nga sektori i shërbimeve dhe ai i tregtisë.

Treguesi i besimit në shërbime shënoi rritje me 7.2 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar. Rritja e tij u përcaktua nga vlerësimet më optimiste të bizneseve, si për ecurinë e aktivitetit të tyre, ashtu edhe për kërkesën.

Pritjet e bizneseve të shërbimeve për nivelin e punësimit dhe të çmimeve të tyre në të ardhmen rezultuan në rritje gjatë muajit maj.

Treguesi i besimit në tregti shënoi rritje me 6.8 pikë përqindje, i ndikuar nga vlerësimet optimiste të bizneseve të tregtisë për ecurinë aktuale të biznesit të tyre, si dhe pritjet optimiste për punësimin në muajt e ardhshëm.

Pritjet e tyre për kërkesën dhe ecurinë e biznesit në muajt e ardhshëm janë vlerësuar gjithashtu në rritje. Paralelisht, edhe pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë vlerësuar me rënie edhe këtë muaj në këtë sektor.

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 4.3 pikë përqindje në muajin maj. Kjo rritje reflektoi kryesisht vlerësime më optimiste të bizneseve për prodhimin industrial.

Vlerësimet e tyre për kërkesën e brendshme dhe kërkesën nga eksportet u përmirësuan gjithashtu këtë muaj.

Pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin dhe punësimin në të ardhmen gjithashtu janë rritur. Për më tepër, pritjet për çmimet e prodhimit, të cilat kanë regjistruar prirje rritëse të fortë gjatë muajve të fundit, regjistruan rënie në muajin maj.

Edhe treguesi i besimit konsumator shënoi rritje të lehtë me 2 pikë përqindje në muajin maj. Kjo rritje reflektoi përmirësimin e të gjithë komponentëve përbërës: vlerësimin lidhur me blerjet në shuma të mëdha, pritjet e konsumatorëve për situatën e tyre financiare dhe për situatën e përgjithshme ekonomike në vend.

Të dhënat e vrojtimit të fundit të Bankës së Shqiëprisë tregojnë se mes bizeseve po maturohet pritshmëria se ndoshta situata inflacioniste mund të ketë arritur pikun dhe çmimet mund të stabilizohen gradualisht.

Kjo pritshmëri përputhet edhe me skenarin bazë të bankës së Shqipërisë, që pret që inflacioni të arrijë nivelet më të larta mes tremujorit të dytë dhe të tretë dhe ndoshta të fillojë të bjerë në tremujorin e fundit të vitit.

I vetmi sektor që shfaqi një përkeqësim të lehtë të besimit ishte ai i ndërtimit. Treguesi i besimit në ndërtim regjistroi rënie të lehtë me 0.6 pikë përqindje në muajin maj. Rënia u shkaktua nga vlerësime më pesimiste për aktivitetin ndërtues. Nga ana tjetër, vlerësimi i tyre për kontratat porositëse si dhe pritjet për nivelin e punësimit ishin në rritje.

Pritjet për çmimet në të ardhmen u ulën në muajin maj, për të dytin muaj rresht, çka dëshmon se tendenca e shtrenjtimit të shpejtë të çmimeve në këtë sektor mund të frenohet disi në pjesën e dytë të vitit. /abc24.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu