Patrullimet e përbashkëta mes forcave të Turqisë dhe Rusisë në verilindje të Sirisë, do të nisin më 1 nëntor, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pasi Kremlini ka njoftuar se luftëtarët kurdë janë tërhequr sipas një marrëveshjeje të arritur mes Ankarasë dhe Moskës.
“Ne do të nisim punën e përbashkët në tokë më 1 nëntor”, ka thënë Erdogan në një fjalim televiziv, të transmetuar më 30 tetor.
Ai ka thënë se patrullimet e përbashkëta do të zbatohen brenda Sirisë, përgjatë një ngushtice 7-kilometërshe nga kufiri.
Sipas marrëveshjes së miratuar në Soçi të Rusisë një javë më parë, pas ofensivës turke në verilindje të Sirisë, forcave të milicisë kurde u është dhënë afat prej 150 orëve për t’u larguar nga kufiri mes Turqisë dhe Sirisë.
Erdogan dhe autoritetet ruse kanë informuar Ankaranë se rreth 34,000 anëtarë të “grupit terrorist” janë tërhequr, bashkë me 3,260 pjesë të armëve të rënda, nga kufirit turko-sirian.
“Të dhënat që kemi tregojnë se garancitë ruse nuk janë përmbushur plotësisht. Ne do ta përgjigjemi në mënyrë adekuate pasi të angazhojmë trupat”, është shprehur Erdogan.
Ai ka theksuar se Turqia ka “të drejtën ekskluzive për të kryer operacionin e saj” nëse identifikon se milicia kurde është duke sulmuar forcat e saj.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar muajin e kaluar për tërheqjen e trupave amerikane nga kufiri turk, duke iu lejuar forcave turke që të krijojnë një zonë të sigurisë përgjatë kufirit pa luftëtarë kurdë.
Rusia, bashkë me Iranin kanë ofruar ndihmë të madhe për presidentin sirian Bashar al-Assad, në luftën civile të Sirisë, derisa Turqia ka mbështetur grupet rebele.
Konflikti në Siri ka nisur si pasojë e disa protestave kundër qeverisë në mars të vitit 2011 dhe që nga ajo kohë janë vrarë më shumë se 400,000 persona.
Turqia strehon 3.6 milionë refugjatë sirianë andaj Erdogan ka thënë se shteti i tij planifikon të dërgojë rreth 2 milionë persona në verilindje të Sirisë.