Askush nuk e ka të qartë kah erdhi kjo kulturë sportive në shtetin e Kosovës, që pasi të vdesësh bëhesh i madh e Legjendë!
Pasi të vdesësh të thurin elozhe! Pasi të vdesësh ta mësojnë historinë e bujshme!
Kosova ime, pas 20 viteve të pasluftës, për interesa të ngushta thuajse ta nxjerrin edhe shpirtin!
Kosova ime, shumë po duron dalleverxhi, hajni, korrupsion, gënjeshtar, injorant, dilinxhi e çka tjetër!
Kosova ime, edhe sa koha ta durosh këtë shtresë?
Në Kosovë bëhesh i madh e Legjendë vetëm në arkivol! Sa të jesh gjallë, ik bre, hiqmu qafesh, çfarë legjende!
Sa të jesh gjallë, je palaqo, një i padurueshëm, askush nuk ta rras!
Kush është Kujtim Shala në futboll, askushi, kush është Ardian Kozniku në futboll, askushi, po ky Fadil Muriqi në futboll, a thua cili na qenka, kush na qenka vallë ish portieri i futbollit Shukri Paçarada, askushi. Po trajneri Ajet Shosholli, a din me udhëheq ekip futbolli, nuk din, po Afrim Tovërlani, trajner i futbollit, a ka lidhje me sport, bash hiq, po Faruk Domi në futboll, po Esat Mehmeti në futboll, askushi, po Luan Prekazi në futboll, çfarë legjende bre, askushi. Po Isa Sadriu në futboll askush bre, po Sahit Kelmendi në futboll, askushi, po Arbnor Morina, pse a ka luajt futboll a?
Po kush është Mehmet Bogujevci i boksit, askushi.
Po Xhevdet Peci në boks, një anonim, po Aziz Salihu në boks, askushi, po Sami Buzolli në boks, a thua kush na qenka? Po Fatrmi Makolli në boks, kush qenka ai se?
Po Resmije Juniku në basketboll, askushi, po Serbeze Perani në basketboll askushi, po Shemsije Stublla në basketboll, askushi! Kush është në hendboll Aziz Makiqi – askushi, po në hendboll Sefedin Reçica, askushi, po në hendboll Hasan Bajrami – askushi, po në hendboll Besim e Bujar Qerimi, askushi, Muhamet Kilaj në hendboll, askushi, hiq askushi. e shumë e shumë të tjerë. Këta janë gjallë dhe nuk janë askushi, ama bash hiq bre! Këta legjenda, çfarë legjenda bre!
A ka pasur sport në vitet e 70-ta e 80-ta? Jo! Jo, jo. Sporti u zbulua nga viti 1999 fiks nga viti 1999! Pikë dhe pikë. Pa merak, kur vdesin këta të lartpërmendurit, këta shndërrohen në Legjenda, këta janë krenaria, pasuria jonë. A e dini pse? Sepse je në arkivol dhe je i parrezikshëm. Të parrezikshëm, fare të parrezikshëm. Kur të vijnë të varri me kurora e të vajtojnë e mot
Krokodili. Iu qe disa qajnë përnjëmend, po qajnë prej gëzimi se shkoi një konkurrent! Shpëtuam!
Ose siç thoshte para disa vitesh një person që nuk do ta përmendi me emër: “Kur ma dha dorën Mehmet Bogujevci mu duk vetja se u bëna i madh, mu duk si dora e Madonës e Lepa Brenës! Ai njeri ish more edhe Mehmeti, gabova që u ndjeva ashtu”.
I shkreti, kur e kish pa në televizion ish shashtris, por kur ia dha dorën Mehmeti, më iu duk se nuk është gjë kjo punë.
Kur vdesësh, pse nuk të ka folur e nuk ta ka hapur telefonin, punë e madhe por kur vdesësh, i mbushin facebookun e instagramin e dreqin e mallkuar, lamtumirë miku im, shoku im, Legjenda jonë!
Ta merr mendja që aq shumë i kanë dashur! Kur i shikon në tavolinë, nga 5 a 6 veta, gojën vesh në vesh, dashuria e rrejshme mes tyre, krenaria e rrejshme, sa të çohet nga tavolina ia bën gropën.
O Zot i madh, çfarë po ngjanë me Kosovën, kur legjendat janë askushi e askushat janë legjendat. Kur ata që kanë luajtur para 30-40 mijë shikuesve, ose në palestra para 3-4 mijë shikuesve, janë askushi e ata që as mahalla nuk i ka shikuar janë legjendat apo kanë luajtur vetëm për ditë Bajrami.
Kosova ime, kur këngëtarja e modelja ta analizon lojën e trajnerët e mëdhenj shikojnë se çfarë po bëhet.
Në Kosovën time, kur patrioti bëhet spiun e spiuni patriot.
Kur ajo femra i futet dikujt ndër jorgan është femër e mirë, e më e moralshmja e ajo që nuk i futet e nuk ia jep, e quajnë një ku…
Aty ku të thonë pata kënaqësinë që kam ndejtur me ty e andeja ta shajnë…! Aty ku mundohen me u fut ndër tavolinë nga servilizmi i tepër. O zot i madh. Aty ku shkojnë te kryetarët e komunave e zgërdhihen nga zori e jo nga qejfi. Aty ku sportistët krenohen që ia prekën dorën kryetarit të Komunës, o Zot i madh!
Aty, kur dalin televizor e thërrasin tezen e pyesin a fola bukur, se nuk i besojnë as gruas! Aty ku kravata merre huazim te shoku e nuk ka pare me ble me të shtrenjtë, o Zot!
Aty ku nuk shkruhet historia e tentohet të fshihet historia, aty ku harrohet Gjenerata e artë, e mundohet të shkelet me rrotë të traktorit.
Aty ku harrohet Gjenerata e sakrificës dhe e Republikës.
Aty ku harrohen donatorët e biznesmenët, që dhanë me qindra mijëra marka për mbajtjen gjallë të sportit. Aty ku gomari del para kalit dhe bëhet me mbret se mbreti. Kur vdiq Fadil Vokrri, disa harruan se nuk kishin lë gjë pa e sha, dolën e vajtonin me lot krokodili, kur vdiq Skënder Sahiti legjenda e hendbollit, harruan që disa as që i flisnin e lere ta ndihmonin, vajtonin e thurnin elozhe, na la Keno i madh!
Aty ku shtrembërohet historia e sportit. Aty ku fshihet e shahet krenaria e sportit në vitet e 70-ta e të 80-ta dhe del në sipërfaqe krenaria e rrejshme, e turpit e pa suksesit. Aty ku bëhesh i madh brenda natës e jo me punë e me vepra.
Aty ku bëhesh Legjenda duke i bartur valixhet, e Legjendat e vërteta shahen. Aty ku për një copë suxhuk vdesin për Ty e kur thu të vërtetën veç që nuk ta heqin kokën, të bëjnë për pesë pare. Aty ku emrave të mëdhenjve iu frikësohen e i rrisin anonimët!
Kjo është Kosova ime, kur je në arkivol je i madh e Legjendë, sa të jesh gjallë je askushi! Kosova ime, boll durove, 20 vite nuk janë pak!