Arrestohet kreu i grupit që abuzonte me 17-vjeçaren në Fushë Krujë. Ngjarja e rëndë tronditi gjithë opinionin publik, pasi e mitura drogohej dhe shfrytëzohej seksualisht nga një grup të rinjsh. 6 prej tyre tashmë janë arrestuar nga forcat e rendit, ndërsa dje në pranga ra 23-vjeçari A.B, personi kyç i gjithë kësaj ngjarje. Policia përmes një njoftimi për media bëri të ditur se ndalimi i tij është bërë edhe falë policisë rrugore. 23-vjeçari i shpallur në kërkim prej disa ditësh akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. “Në vijim të operacionit policor të koduar “Nikla”, Forcat e Posaçme “Shigjeta”, në bashkëpunim me Komisariatin e Qarkullimit Rrugor, falë edhe shkëmbimit të informacionit me Policinë e Krujës, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Alket Brata, 23 vjeç, banues në Krujë.
Kapja e këtij shtetasi u bë në rrugën “Petrit Radovicka”, gjatë kohës që drejtonte mjetin pa leje drejtimi. 23-vjeçari ishte person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Krujës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Shfrytëzim prostitucioni””, thuhet në njoftimin për shtyp nga policia. Burime zyrtare bëjnë me dije se ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim edhe si autor i dyshuar i vendosjes së një sasie lënde eksplozive në banesën e 17-vjeçares, të cilën shtetasit e arrestuar në kuadër të operacionit “Nikla” e shfrytëzonin për prostitucion. Ndërkohë, veprimet e mëtejshme janë kryer nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë. Gjithashtu, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Detaje nga ngjarja e rëndë në Fushë-Krujë
Kohët e fundit janë rritur ndjeshëm rastet e të miturve të cilët kanë rënë pre e grupeve kriminale për shfrytëzim prostitucioni. Një rast i tillë lidhet konkretisht më ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës datë 13.07.2020 ku në oborrin e shtëpisë së një 17-vjeçareje nga Fushë Kruja u vendos një sasi tritoli, nga disa persona të cilët për muaj me radhë abuzonin seksualisht më të miturën. Nga dëshmia e 17-vjeçares thuhet se e mitura filloi të pinte hashash që kur ishte 14 vjeçe. Por fillimi i kësaj historie përkon me datën 09.11.2019, ku 17-vjeçarja pasi ishte grindur me të ëmën ishte larguar nga banesa në drejtim të një lokali në Krujë. Aty një person e ka prezantuar me të riun A. B, i cili e ka marrë në makinë dhe sëbashku me dy shokët e tij e ka dërguar në një hotel në Kamzë në Tiranë. Sipas policisë, pasi e ka droguar me kokainë i riu ka abuzuar seksualisht me të dhe më pas ka lejuar dy shokët e tij që të abuzonin me të miturën. Më pas ata e kanë mbyllur 17-vjeçaren në dhomë dhe janë larguar. Në dëshminë që ka dhënë vajza në polici thuhet se shtetasi A.B ka ardhur një orë më pas i shoqëruar me personin nën hetim F.L, të cilët kanë tentuar ta çonin në shtëpinë e një vajze në Kamëz, por ajo nuk ka pranuar t’i fuste brenda duke thënë se “është vajzë e vogël dhe do na hapi punë”. Më pas kanë shkuar tek një hotel tjetër ku kanë konsumuar sërish kokainë dhe e mitura është shfrytëzuar sërish seksualisht nga A.B. Gjithashtu 17-vjeçarja deklaron se i riu më pas e ka detyruar “duke i vendosur duart në fyt që të pranojë të kryente marrëdhënie seksuale me personin nën hetim F.L” dhe e gjendur në këtë situatë ka pranuar. 11 nëntor 2019, ka qenë dhe dita më e tmerrshme për 17-vjeçaren, ku në mbrëmje A. B sëbashku me 7 shokë të tij dhe 17-vjeçaren kanë shkuar në banesën e tij. Sipas dëshmisë, aty e mitura është droguar, përdhunuar në grup si dhe është përdorur dhunë fizike ndaj saj. Ajo dëshmon se është kërcënuar që të heshte në të kundërt do i vrisnin familjen dhe babain sapo të dali nga burgu, ndërsa do i trafikonin motrën.